Kërkohet monitorim i detajuar i ndërmarrjeve energjetike për ndërprerjet e rrymës

Qytetarët e vendit edhe 21 vjet pas luftës po vazhdojnë të përballen me mungesë të energjisë. Vërshimet dhe reshjet e fundit të borës dhe shiut kanë ndikuar që të ketë prishje në rrjetin elektrik.

Për Dardan Abazin, hulumtues në INDEP ndërprerjet e shpeshta të energjisë shpërfaqin problemin që ka të bëjë me monitorimin e ndërmarrjeve të energjisë nga ana e ZRRE-së.

“Ne konsiderojmë se kjo Zyrë nuk ka bërë sa duhet në monitorimin e ndërmarrjeve energjetike dhe në respektimin e kornizës ligjore edhe sa i përket cilësisë dhe furnizimit me energji… të ketë monitorim më të thukt të këtyre ndërmarrjeve dhe të ketë shqiptim të gjobave në raste kur nuk ka respektim të konsumatorit”, ka thënë ai.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka thënë se dëmet që u shkaktohen konsumatorëve duhet të kompensohen nga ana e ndërmarrjes. “Në momentin që ka ndërprerje të gjitha dëmet që shkaktohen nga kjo ndërprerje duhet të ketë pra një lloj të kompensimit në fund të muajit, qoftë me reduktim në faturë apo përmes formave të tjera të dëmshpërblimit për dëmet që u shkaktohen nga ndërprerjet”, ka theksuar ai.

Por, sipas KEDS-it, furnizimi me energji është stabil dhe nuk ka ndërprerje të rrymës përveç atyre të planifikuara dhe prishjeve.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala thotë se pavarësisht kushteve atmosferike, mbi 99 për qind e konsumatorëve janë furnizuar pa asnjë ndërprerje të vetme. “Gjendja jo vetëm që është e mirë, por edhe më herët ka qenë e mirë, pjesa dërmuese e konsumatorëve nuk janë ballafaquar me asnjë ndërprerje të vetme. Të gjithë konsumatorët kanë pasur energji. Për shkak të vërshimeve të fundit ka pasur afeksion ku janë shkaktuar një varg i prishjeve, të cilat janë evituar në kohën e shkurtër të mundshme”, ka theksuar ai.

Sipas tij, pjesa dërmuese e komunave janë furnizuar pa asnjë ndërprerje të vetme.

“Edhe në Prishtinë ku kemi pasur disa mbingarkesa, 99 për qind e konsumatorëve janë furnizuar me energji elektrike. Madje në nivel Kosove, para 3 ditëve është arritur rekordi i konsumit”, ka pohuar ai.

Ka thënë se janë ofruar 1300 megavat orë energji elektrike brenda një ore, që nuk janë afruar asnjëherë në historinë e energjetike të Kosovës.

“Ne kemi ofruar energji më së shumti që është ofruar ndonjëherë në këtë vend. Do të thotë ka pasur ndonjë problem sporadik si pasojë e mbingarkesave të shkaktuara nga ngrohja masive e qytetarëve me energji elektrike. Ato jemi duke i evituar në mënyrë të vazhdueshme, po intervenojmë në secilin vend që paraqiten këto ngarkesa”, ka pohuar Buzhala.

Megjithatë, ky arsyetim, sipas Abazit nga INDEP, nuk qëndron. Ai thotë se me këtë po u kërkohet qytetarëve që të jenë ekspertë dhe të kalkulojnë se sa do të kenë kërkesë për energji.

“Vetë ndërmarrjet e energjisë të cilat do të bëjnë kalkulimin dhe planifikimin e saktë se sa do të jetë kërkesa për energji cilat do të jenë masat që kjo kërkesë të përmbushet në 24 orë dhe investimet që do t’u përgjigjen këtyre qytetarëve”, ka thënë Abazi.

Por, nga Rregullatori thonë se vazhdimisht po monitorojnë funksionimin e sektorit të energjisë në vend. “Rregullatori i energjisë vazhdimisht monitoron funksionimin e sektorit të energjisë në vend dhe me paraqitjen e ndonjë problemi intensifikon këto monitorime dhe kërkon sqarime nga të licencuarit”, thuhet në përgjigje zyrtare nga ZRRE.

Sipas ZRRE-së, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka thënë se ndërprerjet në furnizim janë shkaktuar kryesisht nga ngarkesat e larta në rrjetin e energjisë elektrike për shkak të rritjes së madhe të konsumit dhe në ndonjë rast ka pasur ndonjë prishje të rrjetit.

ZRRE ka bërë të ditur se pjesë e monitorimeve të rregullta janë edhe investimet e lejuara nga Rregullatori të cilat operatorët e licecuar i planifikojnë dhe kërkojnë t’i realizojnë përmes kërkesave për të Hyrat Maksimale të Lejuara (HML) dhe Planeve Zhvillimore.

“Cilësia e investimeve nga Rregullatori monitorohet nga aspekti ekonomik dhe reflektohet në të Hyrat Maksimale të Lejuara. Përderisa operatorët janë të obliguar që investimet e tyre t’i realizojnë përmes procedurave të tenderimit, ashtu siç përcaktohet me ligjet në fuqi”, thuhet në përgjigje.

Pa energji elektrike për disa orë kanë qenë të shtunën një pjesë e Zonës Industriale, një pjesë e Fushë Kosovës, disa pjesë të Prishtinës si Kalabria dhe Arbëria.

Ndërkohë KEDS ka paralajmëruar disa ndërprerje për shkak të punimeve në disa Komuna.

KOHA ka raportuar se disa fshatra të Gollakut ka 14 ditë që janë pa energji elektrike. Ata të mërkurën kanë protestuar, duke kërkuar nga KEDS që të intervenojë sa më shpejtë.