Në prag të zgjedhjeve, Qeveria e SBASHK-u merren vesh për kontratën kolektive, shtesat e pagën e 13-të

Në prag të zgjedhjeve të reja, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, në një konferencë për media të premten, ka njoftuar se bashkë me Sindikatën e Bashkuar për Arsim janë pajtuar për kontratën kolektive.

“Ka kohë që ministria e Arsimit ka negociuar me SBASHK-un. Kemi pasur para disa ditësh takim me krerët e SBASHK-ut për të diskutuar për disa çështje për kontratat kolektive. I kemi dakorduar të gjitha çështjet për kontratat kolektive për arsim, duke saktësuar të gjitha aspektet kryesore të kontratës lidhur me themelimin e marrëdhënies së punës, avancimit, kriteret e punësimit, mënyrat e funksionimit, të drejtat e mësimdhënësve e të tjera”, ka thënë ai.

Hoti ka njoftuar se nga viti 2023 do të bëhet pagesa e 13-të për arsimin parauniversitar. Ka thënë se kjo lidhet me performancën.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka shtuar se janë marrë vesh për dy pagesa shtesë për shkak të punës së ngarkuar në kohë pandemie, ndërsa janë marrë vesh edhe për pagesën e ushqimit, shujtës ditore dhe shpenzimet e transportit.

Marrëveshja që u arrit të mërkurën mes Qeverisë dhe SBASHK-ut për shtesat nxiti pakënaqësi të shumta. Marrëveshja u arrit në prag të zgjedhjeve të parakohshme pas kërcënimit të Sindikatës së Arsimit për grevë.