Efekti Biden: tregjet amerikane dhe aziatike arrijnë rekorde, rritje edhe në Evropë

Tregjet e aksioneve në Shtetet e Bashkuara arritën në nivel rekord të mërkurën, ditën kur u zgjodh president veterani i politikës amerikane, Joe Biden. Një ditë më vonë, nivele rekorde u shënuan edhe në tregun aziatik të aksioneve.

Indeksi S&P 500 shënoi rritje për 1.4 për qind, ndërsa vlera ishte 14 për qind më e madhe se në ditën e zgjedhjeve. Kjo rritje paraqet thyerje të rekordit të vendosur nga ish-presidenti Hoover më 1928, kur i njëjti indeks kishte shënuar rritje për 13.3 për qind gjatë intervalit të njëjtë kohor.

Të mërkurën, në nivel rekord shkoi edhe vlera e indeksit Dow, duke u rritur për 0.8 për qind. Rekord shënoi edhe indeksi Nasdaq me rritje prej 2 për qind, shkruan New York Post, transmeton Gazeta Express.

Reklama e sponzorizuar

Në pjesën tjetër të botës, në Azi, gjithashtu u shënuan vlera rekorde të tregut, pasi investitorët shpresojnë se administrata e Bidenit do të sigurojë pako masive për rimëkëmbjen e ekonomisë, raporton agjencia Reuters.

Rritja e vlerës së tregjeve në Azi ishte pasqyrim i trendit të njëjtë në Shtetet e Bashkuara. Shkaqe të lëvizjes pozitive besohet se janë ndërrimi i rregullt i pushtetit dhe pritjet e mëdha që pakoja amerikane do të ofrojë përkrahje të vazhdueshme për asetet globale.

Trend pozitiv shënuan edhe tregjet evropiane. Euro Stoxx 50 shënoi rritje për 0.39 për qind, DAX-i gjerman 0.4 për qind, ndërsa FTSE 0.6 për qind.