Britania ka vaksinuar më shumë njerëz sesa ka të infektuar, si paraqitet vaksinimi në botë

Numri i njerëzve që kanë marrë dozën e tyre të parë të vaksinës për tu mbrojtur nga koronavirusi në Mbretërinë e Bashkuar ka tejkaluar numrin e atyre që janë të konfirmuar pozitivë, sipas qeverisë britanike.

Statistikat e botuara të qeverisë tregojnë se deri të shtunën, një total prej 3,857,266 njerëz kanë marrë dozën e parë. Në raportin e fundit (të dielën) Britania ka regjistruar një total të infektuarish prej 3,395,959 raste që nga fillimi i pandemisë.

Qeveria britanike është e vendosur për të ofruar një dozë të parë të vaksinës së COVID-19 për çdo të rritur deri në shtator pasi sistemi i kujdesit shëndetësor po përballet me krizën më të rëndë në historinë e saj 72-vjeçare. Britania ka deklaruar se së shpejti do të fillojë të mbajë qendrat e vaksinimit hapur 24 orë dhe do të rrisë pikat e vaksinimit në të gjithë vendin.

Reklama e sponzorizuar

Programi ambicioz i vaksinimit vjen mes presioneve dërrmuese mbi Shërbimin Kombëtar të Shëndetit. Rritja e rasteve të reja ka çuar numrin e njerëzve të shtruar në spital në një shifër rekord, 73 për qind më e lartë se gjatë pikut të parë të pandemisë në prill. Çdo 30 sekonda një pacient me Covid shtrohet në spital.

Deri në mes të shkurtit qeveria britanike ka deklaruar që nuk do të ketë një rishikim të masave kufizuese, dhe deri në atë kohë ajo synon që të ketë vaksinuar të gjithë mbi 70 vjeçarët, si dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor  në vijën e parë dhe të tjerët që janë veçanërisht të prekshëm nga COVID -19.

Ndryshe nga shtetet e tjera, Britania ka zgjedhur të shtrijë kohën midis dozave të vaksinave nga 21 ditë në deri në 12 javë, një vendim që do të thotë se më shumë njerëz do të marrin më herët një dozë.

Britania ka aprovuar tre vaksina, ato nga Pfizer-BioNTech, Oxford-AstraZeneca dhe Moderna. Dy të parat tashmë janë duke u përdorur, ndërsa dozat e Moderna nuk priten deri në pranverë.

Aktualisht ajo administron 4.3 milionë doza, një mesatare prej 6.45 doza për 100 banorë.

Vaksinimi në botë

Më shumë se 42.2 milionë doza në 51 vende janë administruar, sipas të dhënave të mbledhura nga Bloomberg. Mesatarisht 2.43 milionë doza në ditë.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku vaksinimi ka filluar më 14 dhjetor, aktualisht administrohen 14.3 milion doza, ku javën e fundit janë administruar mesatarisht 898,410 doza në ditë.

Në një përpjekje për të përshpejtuar vaksinimet pas një përhapje të fortë, qeveria amerikane më 12 janar filloi imunizimin e të gjithë njerëzve mbi 65 vjeç. Të paktën 1.80 milionë njerëz kanë përfunduar regjimin e vaksinimit me dy doza.

Tre vendet e para që kanë ecur përpara me vaksinimin vijojnë të jenë të njëjta. Në vendin e parë qëndron Izraeli, i cili administron 25.9 doza për 100 banorë, ndjekur nga Emiratet e Bashkuara me 17.52 doza, dhe Bahrejni, me 9.54 doza për 100 banorë. /CBS & Bloomberg/ /Monitor.al/

Përpunuar nga Bloomberg