Pandemia tkurr tregtinë e Shqipërisë me 571 milionë euro

Vëllimi tregtar i Shqipërisë gjatë vitit 2020 pësoi një rënie me gati 7.5 për qind, ose me 571 milionë euro më pak se viti 2019, ndikuar nga efekti i pandemisë COVID-19.

Të dhënat e Institutit shqiptar të Statistikave (INSTAT), tregojnë se rënia erdhi si pasojë e tkurrjes si të eksporteve ashtu dhe të importeve, të cilat pas goditjes së parë që morën gjatë muajit prill 2020, kur jo vetëm vendi, por dhe partnerët e tjerë tregtarë njohën mbylljen e plotë, nisën të rigjallërohen me një tendencë të vazhdueshme drejt përmirësimit, pavarësisht disa luhatjeve.

Në fund të vitit, eksportet ishin në nivelin e gati 2.2 miliardë eurove, duke regjistruar një rënie prej 9 për qind krahasuar me vitin 2019, e barabartë me 217 milionë euro.

Reklama e sponzorizuar

Sipas INSTAT-it, grupet që kanë ndikuar në uljen vjetore të eksporteve janë “tekstili dhe këpucët” me 5.3 pikë përqindje, “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 3.5 pikë përqindje, “materiale ndërtimi dhe metale” me 1.2 pikë përqindje. Në ndërkohë sektorë të tjerë njohën rritje vjetore e që janë “ushqimet, pijet, duhan” me 1.2 pikë përqindje dhe grupi “makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me 0.5 pikë përqindje.

Totali i importeve përgjatë vitit 2020 ishte rreth 5 miliardë euro duke u ulur me 6.8 për qind ose 354 milionë euro më pak. Grupet që kanë ndikuar kryesisht në uljen vjetore të importeve, janë “mineralet, lëndët djegëse, energjia elektrike” me 3.5 pikë përqindje, “tekstili dhe këpucët” me 1.8 pikë përqindje dhe “makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me 0.8 pikë përqindje. Ndërsa ndikim pozitiv ka pasur grupi “produkte kimike dhe plastike” me 0.4 pikë përqindje dhe “ushqim, pije, duhan” me 0.1 pikë përqindje.

Bashkimi Evropian vijoi të mbetet destinacioni kryesor për shkëmbimet tregtare të Shqipërisë, duke zënë 63.1 për qind të të gjithë tregtisë, që në vlerë është e barabartë me rreth 4.5 miliardë euro. Megjithatë krahasuar me vitin e kaluar ka një rënie me 5 pikë përqindje. Eksportet drejt vendeve të BE-së zunë 74.7 për qind të totalit të produkteve shqiptare të shitura jashtë vendit, me një vlerë prej 1,642 miliardë euro. Ndërsa importet nga vendet e BE-së zënë 58 për qind të totalit të produkteve që hynë në tregun vendas ose e barabartë me 2,835 miliardë euro.

Italia u rikonfirmua sërish si partneri kryesor i Shqipërisë me 31.4 për qind të totalit të vëllimit tregtar, ndonëse me një rënie prej 3 pikësh përqindje. Eksportet me Italinë ranë me 13.7 për qind, duke zbritur në 998.5 milionë euro nga 1,157 miliardë eurosh në vitin 2019. Ndërsa importet nga Italia zbritën në 1,122 miliard euro apo 7.4 për qind nga 1,327 miliard euro të një viti më parë. Në total shkëmbimet tregtare me Italinë u tkurrën me 363.5 milionë euro, e barabartë me 63.6 për qind të të gjithë rënies së vëllimit tregtar përgjatë vitit 2020. /VoA/