Me një rreth-rrotullim të ri synohet të menaxhohet fluksi i veturave në Fushë-Kosovë

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi, bashkë me nënkryetarin e Komunës së Fushë-Kosovës, Fadil Krasniqi, kanë vizituar lagjen “Dardania”  ku është projektuar të ndërtohet një rreth-rrotullim.

Ministri tha se rreth-rrotullimi do bëhet për ta shkarkuar lagjen “Dardania” të Fushë-Kosovës për shkak të rritjes së fluksit të veturave.

“Ky rreth-rrotullim do të zgjidh problemin edhe për banorët e Fushë-Kosovës por edhe për bizneset që gjendet në këtë pjesë. Nevoja për ta ndërtuar këtë rreth-rrotullim ka lindur si shkak i rritjes së numrit të veturave që kalojnë nëpër këtë rrugë”, tha Abrashi.

Reklama e sponzorizuar

Ai bëri të ditur se kjo do të jetë zgjidhje afat gjate që do ta lehtësojë edhe komunikacionin.

“Janë mbi 54 mijë vetura që kalojnë nëpër këtë rrugë brenda ditës, në rrugën N9, dhe ka qenë e domosdoshme që të ndërtohen një rreth-rrotullim”, tha Abrashi.

Projekti ideor është punuar në tri variante nga kompania projektuese e kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës.

Ndërsa nënkryetari i Fushë-Kosovës, Fadil Krasniqi, tha se projekti do të ketë impakt të madh në Fushë-Kosovë, e veçanërisht në lagjen “Dardania”.