Shumë shtëpi të pabanueshme pas vërshimeve, vazhdon vlerësimi i dëmeve në komunat e prekura

Rreth 500 shtëpi kanë pësuar dëme të mëdha nga vërshimet në Komunën e Vushtrrisë. E dëmtuar rëndë është edhe shtëpia e Imer Jasharit.

“Deri ku ka arritur niveli i ujit është 1 metër e 60. Brenda është 1 metër e 10 uji që e kam këtu. Asnjë orendi, çdo gjë që e kam pasur brenda, asnjë nuk kam mundur ta heq nga aty”, ka thënë ai. “E shihni edhe nga ana e poshtme se një pjesë e shtëpisë është çarë. A është çarë më herët apo tash nuk e di. Ka qenë pak, por jo sa tash, kshtu që nuk është për banim”.

Në shtëpinë e 62-të me radhë, qysh para dy ditësh ka dalë komisioni. Kryesuesi i tij, Tefik Maloku, ka bërë të ditur se deri të shtunën kanë pranuar rreth 100 kërkesa.

“Aplikimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Shpresojmë që do të jenë diku 400 deri në 500 aplikues për aplikim të vlerësimit të dëmit. Ne shpresojmë që javën që vjen do ta përfundojmë këtë proces të vlerësimit”, ka thënë Maloku.

Reklama e sponzorizuar

E komunave të rajonit të Prishtinës, Agjencia e Menaxhimit Emergjent u kërkuar që t’i dërgojnë të dhënat për kompensimin e dëmeve emergjente, duke u mbështetur në fonde të BE-së, deri më 20 janar. Por, zëdhënësja e Qeverisë në detyrë, Antigona Baxhaku, ka bërë të ditur se nuk ka afat për dorëzimin e këtyre raporteve.

Kamenica, siç i është thënë KOHËS, e ka formuar një komision që pret t’i kryejë vlerësimet deri më 21 janar.

Ndërsa Fushë-Kosova, Drenasi e Rahoveci kanë formuar nga 5 komisione për vlerësimin e dëmeve. Sipas Komunës së Rahovecit, deri të shtunën janë paraqitur rreth 180 shtëpi e 20 biznese të dëmtuara, që kapin vlerën mbi 1 milion euro.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, është zotuar se së shpejti do të shpërndahen 7.6 milionë euro për kompensimin e dëmeve.