600.000 vaksinat anti-Covid që Kosova ka porositur përmes Austrisë janë të “Curevacit”, që ende s’janë aprovuar

Kosova ka porositur 600.000 doza të vaksinës anti-Covid nga prodhuesi gjerman “Curevac”, e cila ende nuk është aprovuar.

Në një përgjigje për KOHËN, Ambasada e Austrisë në Prishtinë ka bërë të ditur se këto vaksina janë porositur përmes tyre.

“Në kuadër të porosisë vetjake, Austria porosit edhe për Kosovën 600.000 doza të vaksinës nga prodhuesi ‘Curevac’”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

Reklama e sponzorizuar

Qeveria Hoti më herët ka thënë se ka siguruar 535 mijë vaksina nga kompania “Pfizer”, 600 mijë përmes Austrisë, duke mos specifikuar të cilës kompani janë, dhe 720 mijë përmes programit COVAX.

Siç është bërë e ditur nga vetë Ambasada, marrëveshja për porositjen e vaksinës është bërë mes ministrave të Shëndetësisë të të dyja vendeve, ndonëse vaksina ende nuk është aprovuar dhe është duke pritur aprovimin nga Agjencia Evropiane për Medikamente.

“Porosia përmes Austrisë u realizua pas bisedave në mes të dy ministrave të Shëndetësisë, me kërkesë nga Prishtina, ndërsa kanë qenë të përfshira edhe Ministria federale për Evropë dhe Çështje Ndërkombëtare e Austrisë, si dhe dy ambasadat, ajo në Vjenë dhe në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës. “Porosia austriake tek ‘Curevac’ është zgjeruar ekstra edhe me porosinë për Kosovën, ndërsa furnizimi me vaksinë do të realizohet sapo të bëhet licencimi i vaksinës nga Agjencia Evropiane për Medikamente (European Medicines Agency)”.

KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë për të kuptuar më shumë detaje lidhur me porosinë e vaksinave nga kjo kompani, porse nuk ka arritur të marrë përgjigje.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, përmes një postimi në Facebook ka shkruar “kemi porositur sasinë më të madhe të vaksinave prej 1.85 milionë dozave, jo vaksina ruse, por të sigurta. Kemi siguruar 40 milionë euro për vaksina që vijnë në shkurt. Kemi përgatitur Strategjinë e Imunizimit, me prioritetet për vaksinim, duke nisur nga stafi shëndetësor, të sëmurët kronikë, dhe mandej nga moshat më të vjetra”.

“CureVac N.V.” është një kompani gjermane biofarmaceutike që po merret me zhvillimin e vaksinës anti-Covid të quajtur CVnCOV. Fokusi i kompanisë është në zhvillimin e vaksinave për sëmundjet infektive dhe ilaçet për të trajtuar kancerin dhe sëmundjet e rralla.

Ndërkaq, siç ka bërë të ditur Agjencia e lajmeve Reuters, kompania farmaceutike, po ashtu gjermane, “Bayer” ka rënë dakord këtë muaj për të ndihmuar kompaninë “CureVac” në zhvillimin e vaksinës anti-COVID, që është në prova klinike në fazën përfundimtare dhe nuk është miratuar ende.

KOHA ka raportuar të enjten e javës së kaluar se Qeveria në detyrë ka vendosur të pezullojë procedurat e prokurimit për blerjen e vaksinave anti-COVID. Me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria ka përgatitur një propozim-vendim, ku thotë “se aprovohet kërkesa e MSH-së për përjashtimin e nenit 3 të Ligjit për prokurimin publik të Kosovës për negocimin e kontratës për vaksina anti-COVID”.