Rimëkëmbja e Europës në rrezik, teksa vala e re e pandemisë thellon pasigurinë

Thellësia e recesionit në vitin 2020 dhe shpejtësia e rimëkëmbjes në vitin 2021 dhe 2022 pritet të ndryshojnë shumë në të gjitha shtetet anëtare. Kjo nuk pasqyron vetëm ndryshimet në ashpërsinë e pandemisë dhe rreptësinë e masave kufizuese, por gjithashtu ndryshimet në strukturat ekonomike dhe reagimet e politikës së brendshme.

Pandemia COVID-19 shkaktoi një krizë ekonomike, me një ashpërsi të jashtëzakonshme. Pas përçarjeve në gjysmën e parë të vitit 2020, faza fillestare e rimëkëmbjes ekonomike, e ndihmuar nga mbështetja e madhe politike, u materializua shpejt kur masat e kontrollit u lehtësuan në të gjithë Europën, sipas Komisionit Europian. Në javët e fundit, rritja e infeksioneve ka çuar në rivendosjen e masave të bllokimit në shumë shtete anëtare, shkruan monitor.al, transmeton Albinfo.ch

Këto pritet të rëndojnë aktivitetin ekonomik dhe kërkesën në një periudhë afatshkurtër, me efekte negative në konsum dhe investime, megjithëse në një masë më të vogël se në pranverë, pasi qasja deri tani ka qenë më e fokusuar. Prandaj, pas një rimëkëmbjeje jashtëzakonisht të fortë në tremujorin e tretë, rritja e PBB-së së BE-së duket se ka ndalur në tremujorin e katërt të vitit 2020.

Reklama e sponzorizuar

Përtej një periudhe afatshkurtër, pasiguria përreth perspektivës, do të mbetet e lartë për sa kohë që pandemia rëndon mbi ekonominë. Nxjerrja e parashikimeve në këto rrethana të jashtëzakonshme është veçanërisht sfiduese dhe janë bërë supozime të rëndësishme teknike. Supozohet se masat e përmbajtjes së virusit do të qëndrojnë në njëfarë mase në fuqi gjatë gjithë horizontit të parashikimit.

Pas shtrëngimit të tyre të konsiderueshëm në tremujorin e katërt të vitit 2020, ashpërsia e masave do të lehtësohet gradualisht në vitin 2021 dhe 2022. Për më tepër, ndikimi ekonomik i një niveli të caktuar kufizimesh, supozohet të zvogëlohet me kalimin e kohës, teksa sistemi shëndetësor dhe agjentët ekonomikë përshtaten me mjedisin COVID-19.

Duke u bazuar në këto supozime, aktiviteti pritet të rritet përsëri në tremujorin e parë të vitit 2021, por duke mbetur i kufizuar nga masat e kontrollit të virusit dhe ndikimi i marrëdhënieve tregtare më pak dobiprurëse me Mbretërinë e Bashkuar. Gjatë tremujorëve në vijim të vitit 2021, rimëkëmbja teknike duhet të vazhdojë dhe rënia graduale e masave shtrënguese duhet të ndihmojë rritjen e aktivitetit ekonomik.

Ndërsa këta faktorë e humbin rëndësinë në vitin 2022, rritja ekonomike pritet të moderohet. Në përgjithësi, PBB-ja e BE-së parashikohet të jetë tkurrur me rreth 7½ % në 2020-n, përpara se të rimëkëmbet me 4% në vitin 2021, gjë që është më pak sesa ishte parashikuar më parë, dhe me 3% në vitin 2022. Kjo nënkupton se prodhimi në ekonominë europiane pritet të rikthehet disi në nivelet e para pandemisë në vitin 2022.

Thellësia e recesionit në vitin 2020 dhe shpejtësia e rimëkëmbjes në vitin 2021 dhe 2022 pritet të ndryshojnë shumë në të gjitha shtetet anëtare. Kjo nuk pasqyron vetëm ndryshimet në ashpërsinë e pandemisë dhe rreptësinë e masave kufizuese, por gjithashtu ndryshimet në strukturat ekonomike dhe reagimet e politikës së brendshme.

Ndikimi ekonomik i pandemisë COVID-19 nuk është kufizuar në BE. Aktiviteti ekonomik global u zhyt në një recesion të paparë në gjysmën e parë të vitit 2020. Masat e jashtëzakonshme të politikës makroekonomike në të gjithë botën kanë ndihmuar në zbutjen e ndikimit dhe, së bashku me zbutjen e masave të kontrollit, kanë ndihmuar në nxitjen e një reagimi ciklik, edhe pse të pabarabartë, gjatë verës.

Masat e lokalizuara të kontrollit me intensitet dhe kohë të ndryshme, supozohet se do të qëndrojnë në fuqi në vitin 2021, përpara se të lehtësohen gradualisht në pjesën e mbetur të horizontit të parashikimit. Si rezultat, PBB-ja globale (me përjashtim të BE-së) pritet të tkurret me rreth 3¾ % në vitin 2020, një rezultat shumë më i keq se gjatë krizës globale financiare. Mbështetur nga rimëkëmbja ciklike e kërkesës private dhe nga politika makroekonomike akomoduese, ekonomia globale (duke përjashtuar BE-në) parashikohet të zgjerohet me rreth 4¾ % në vitin 2021 dhe të moderohet në rreth 3¾ % në vitin 2022.

Në ekonomitë e përparuara jashtë BE-së, parashikimi është përmirësuar paksa që nga pranvera, duke reflektuar një tkurrje më pak të ashpër se sa pritej në gjysmën e parë të vitit dhe një rimëkëmbje më të shpejtë, veçanërisht në SHBA. Në këto ekonomi, konsumi privat pritet të vazhdojë të forcohet, ndërsa tregjet e punës rikuperohen dhe politikat fiskale supozohet të mbeten mbështetëse, por rimëkëmbja në investime dhe tregti pritet të jetë më e butë.

Kina parashikohet të vazhdojë rimëkëmbjen e shpejtë, duke përfituar nga një përfundim më i hershëm i fazës së bllokimit në fillim të vitit, duke rritur kërkesën e huaj dhe mbështetjen e fokusuar politike. Sidoqoftë, në shumë vende në Amerikën Latine, Afrikën Nënsahariane dhe Azinë në zhvillim, hapësira e kufizuar e politikave, një situatë e pasigurt shëndetësore dhe pakësimi i të ardhurave nga valutat e huaja pengojnë perspektivat e rimëkëmbjes.

Në dy vitet e ardhshme, shëndeti i sektorit bankar do të jetë thelbësor për aftësinë e tij për të siguruar hua për ekonomitë. Bankat europiane hynë në krizën COVID-19 me pozicione kapitali shumë më të forta krahasuar me vitin 2008, por përfitimi mbetet i ulët.

Ndërsa numri i huave të papaguara të korporatave dhe vëllimi i kredive me probleme pritet të rriten, veçanërisht në sektorët më të prekur nga masat e bllokimit, në përgjithësi aksionet bankare kanë pasur një performancë më të ulët se tregjet e kapitalit të BE-së. Sidoqoftë, pozicionet e shëndosha të likuiditetit dhe aftësisë paguese të bankave të BE-së, duhet të vazhdojnë për të mbështetur aftësinë e tyre për të siguruar fonde për ekonominë e vendit.

Një rimëkëmbje e ndërprerë dhe e paplotë

Komisioni Europian vlerëson se ekonomia e Eurozonës është tkurrur me 7.8% në vitin 2020, përpara se të rritet me 4.2% në vitin 2021 dhe me 3% në 2022. Prodhimi në Eurozonë dhe në BE nuk pritet të rimëkëmbet në nivelin para-pandemik deri në vitin 2022.

Ndikimi ekonomik i pandemisë ka ndryshuar shumë në të gjithë BE-në dhe e njëjta gjë është e vërtetë për perspektivat e rimëkëmbjes. Kjo pasqyron përhapjen e virusit, ashpërsinë e masave të shëndetit publik të ndërmarra për ta përmbajtur atë, përbërjen sektoriale të ekonomive kombëtare dhe forcën reaguese të politikave kombëtare.

Rritja e papunësisë, më e përmbajtur, krahasuar me rënien e aktivitetit ekonomik

Humbjet e vendeve të punës dhe rritja e papunësisë kanë sjellë presione të mëdha në jetesën e shumë europianëve. Masat e politikave të marra nga shtetet anëtare, së bashku me nismat në nivelin e BE-së, kanë ndihmuar në zbutjen e ndikimit të pandemisë në tregjet e punës. Shtrirja e jashtëzakonshme e masave të ndërmarra, veçanërisht përmes skemave afatshkurtra të punës, kanë lejuar që rritja e shkallës së papunësisë të mbetet e kufizuar në krahasim me rënien e aktivitetit ekonomik.

Papunësia pritet të vazhdojë të rritet në vitin 2021, ndërsa shtetet anëtare heqin dorë nga masat e mbështetjes emergjente dhe njerëz të rinj hyjnë në tregun e punës, por pritet të përmirësohen në vitin 2022, teksa ekonomia do të vazhdojë të rimëkëmbet.

Parashikimi parashikon që niveli i papunësisë në Eurozonë, të rritet nga 7.5% në vitin 2019, në 8.3% në 2020 dhe 9.4% në 2021, para se të ulet në 8.9% në vitin 2022. Shkalla e papunësisë në BE, parashikohet të rritet nga 6.7% në vitin 2019 në 7.7% në 2020 dhe 8.6% në vitin 2021, para se të ulet në 8.0% në vitin 2022.

Deficitet dhe borxhi publik pritet të rriten

Rritja e deficiteve qeveritare pritet të jetë shumë domethënëse në të gjithë BE-në këtë vit, me rritjen e shpenzimeve sociale dhe uljen e të ardhurave nga taksat, si rezultat i veprimeve të jashtëzakonshme të politikave të krijuara për të mbështetur ekonominë dhe efektit të stabilizuesve automatikë.

Sipas parashikimeve, deficiti i përgjithshëm qeveritar i Eurozonës do të rritet nga 0.6% e PBB-së në vitin 2019, në rreth 8.8% në vitin 2020, përpara se të ulet në 6.4% në 2021 dhe 4.7% në 2022. Kjo reflekton zbutjen e masave të mbështetjes emergjente gjatë vitit 2021, ndërsa situata ekonomike përmirësohet. Duke pasqyruar rritjen e deficiteve, parashikimi vlerëson se raporti i përgjithshëm i borxhit të Eurozonës ndaj PBB-së do të rritet nga 85.9% e PBB-së në 2019, në 101.7% në 2020, 102.3% në 2021 dhe 102.6% në 2022.

Inflacioni mbetet i ulët

Një rënie e mprehtë e çmimeve të energjisë e shtyu inflacionin total në territor negativ në gusht dhe shtator. Inflacioni bazë, i cili përfshin të gjithë artikujt përveç energjisë dhe ushqimit të papërpunuar, gjithashtu ra ndjeshëm gjatë verës, për shkak të kërkesës më të ulët për shërbime, veçanërisht për shërbimet e lidhura me turizmin dhe mallrat industriale. Kërkesa e dobët, tregu i ngadaltë i punës dhe një kurs i fortë i këmbimit të euros, do të ushtrojnë presion për rënie mbi çmimet.

Inflacioni në Eurozonë, i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (HICP), arriti mesatarisht 0.3% në vitin 2020, përpara se të rritet në 1.1% në 2021 dhe 1.3% në 2022, ndërkohë që stabilizohen çmimet e naftës. Për BE-në, inflacioni ishte 0.7% në vitin 2020, dhe pritet 1.3% në 2021 dhe 1.5% në 2022.

Italia, partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, po rimëkëmbet nga një rënie e thellë, por pandemia dhe pasojat e saj negative vazhdojnë të peshojnë mbi aktivitetin ekonomik, veçanërisht në shërbime.

Rimëkëmbja nuk ka gjasa të jetë e mjaftueshme që prodhimi real të kthehet në nivelet para-pandemike deri në vitin 2022. Pas rritjes së shpejtë të pritur në vitin 2020, deficiti qeveritar dhe borxhi do të bien ngadalë në vitin 2021 dhe 2022. Inflacioni i çmimit të konsumit parashikohet të shkojë paksa negativ këtë vit dhe të fillojë rritjen e moderuar në vitin 2021.

Pandemia COVID-19 hodhi një hije të zymtë mbi aktivitetin ekonomik në gjysmën e parë të këtij viti, kur prodhimi real u tkurr me 18%. Sidoqoftë, pas përfundimit të karantinës, ekonomia e Italisë u rrit shpejt, e udhëhequr nga ndërtimi dhe prodhimi industrial, i cili deri në gusht kishte kapërcyer nivelet e janarit.

Në të kundërt, shërbimet e konsumatorit, të cilat janë më të ndjeshme ndaj rritjes së normave të infeksionit dhe kufizimeve të lëvizjes, pritet të qëndrojnë nën kthetrat e kufizimeve të lidhura me pandeminë edhe pas këtij viti. PBB-ja reale parashikohet të ulet me 10% në vitin 2020, me gjithë mbështetjen e konsiderueshme të politikës për të zbutur ndikimin e goditjes pandemike.

Në vitin 2021, një efekt-pasojë, duhet të mbështesë rritjen e prodhimit, të parashikuar në 4%, pavarësisht se është dëmtuar nga shpërthimi i madh i pandemisë kohët e fundit dhe forcimi i masave të kontrollit. Në vitin 2022, rritja pritet të ngadalësohet në 2¾ %, që do të thotë se niveli i prodhimit të ekonomisë do të mbetet nën nivelin para-pandemik. Perspektiva i nënshtrohet pasigurisë së lartë dhe rreziqeve të lidhura me pandeminë.

Kërkesa e brendshme pritet të jetë shtylla kurrizore e rimëkëmbjes, megjithëse e prirë ndaj rënieve të shkaktuara nga pandemia.

Italia

Rimëkëmbja nuk ka gjasa të jetë e mjaftueshme që prodhimi real të kthehet në nivelet para-pandemike deri në vitin 2022.

Ndërsa kursimet e detyruara ngushtuan kërkesën, shpenzimet e konsumatorëve u rritën menjëherë pas përfundimit të karantinave. Sidoqoftë, sondazhet e familjeve tregojnë se ky efekt është ndalur me rishfaqjen e besimit të rënies së virusit dhe pasiguria e lartë ka të ngjarë të mbajë kursimet e familjeve mbi nivelet para-pandemike. Konsumi privat pritet të forcohet sërish në vitin 2021, i ndihmuar nga bonusi i ri i familjeve.

Mes kapacitetit të papërdorur të firmave, shqetësimeve të likuiditetit dhe rënies së kompanive startup, investimet u tkurrën ndjeshëm në gjysmën e parë 2020. Shpenzimet kapitale pritet të rriten ndjeshëm gjatë 2021-2022, falë investimeve publike dhe stimujve fiskalë për përmirësimin e efikasitetit të energjisë në ndërtesat e banimit. Pas një rënieje të madhe këtë vit, eksportet e mallrave pritet të rimëkëmben. Sidoqoftë, eksportet e shërbimeve, në veçanti turizmi, nuk ka gjasa të rikuperohen plotësisht deri në vitin 2022.

Punësimi është ruajtur, por do të vuajë sapo të zbehet gradualisht mbështetja e politikës. Mbulimi i zgjatur për skemat e plotësimit të pagave (Cassa integrazione guadagni) dhe një ndalim i largimit nga puna deri në fillim të vitit të ardhshëm ka të ngjarë të parandalojë humbjet e mëdha të punës në vitin 2020.

Barra e rregullimit të tregut të punës deri tani ka rënduar mbi punonjësit e përkohshëm, por punonjësit e përhershëm nuk ka gjasa të qëndrojnë të padëmtuar, pasi të mbarojnë masat e politikës emergjente. Së bashku me kthimin e forcës së punës në nivelet para-pandemike, shkalla e papunësisë pritet të rritet mbi 11%, me humbjet e vendeve të punës të përqendruara midis punonjësve të sektorit të shërbimit

Financat publike pritet të rimëkëmben ngadalë në vitin 2021

Pas një niveli të ulët historik prej 1.6% të PBB-së në vitin 2019, deficiti kryesor i qeverisë u rrit ndjeshëm në rreth 10¾ % të PBB-së në vitin 2020, si efekt i pandemisë COVID-19. Të ardhurat nga taksat indirekte pritet të ulen, si rezultat i rënies së konsumit privat. Përkeqësimi i tregut të punës, megjithëse përmbahet nga mbështetja publike, ka realizuar të ardhura më të ulëta nga taksat direkte dhe kontributet e sigurimeve shoqërore.

Anasjelltas, nën një supozim të ndryshimit të politikës, shtyrja e pagesave të taksave në 2021 dhe 2022, nuk pritet të ndikojë në deficitin e vitit 2020. Masat ndaj krizës, që siguruan mbështetje thelbësore për punëtorët dhe firmat, nënkuptojnë një ndikim buxhetor prej rreth 5½ % të PBB-së në vitin 2020, kryesisht nga shpenzimet.

Në vitin 2021, deficiti qeveritar pritet të ulet në rreth 7¾ % të PBB-së. Të ardhurat e qeverisë duhet të përfitojnë nga rimëkëmbja në aktivitetin ekonomik, ndërsa shpenzimet qeveritare pritet të bien, pasi shumica e masave të mbështetjes të miratuara në vitin 2020, ishin të përkohshme.

Në të njëjtën kohë, zgjerimi fiskal i njoftuar në projekt-planin buxhetor do të peshojë mbi financat publike. Masat kryesore të planifikuara të rritjes së deficitit, përfshijnë shtrirjen e mbështetjes publike për sektorët më të prekur nga kriza, një ulje të kontributeve të sigurimeve shoqërore për firmat që veprojnë në rajone më të varfra, zbatimin e një bonusi familjar dhe burimeve shtesë për kujdesin shëndetësor, arsimin dhe kërkimin shkencor.

Në vitin 2022, nën një supozim të ndryshimit të politikës, deficiti qeveritar pritet të ulet më tej në 6% të PBB-së, mbështetur nga rritja ekonomike dhe përmirësimi i tregut të punës. Ky parashikim nuk përfshin ndonjë masë të financuar nga Mekanizimi i Rimëkëmbjes dhe efektet e raundit të dytë të të ardhurave, pasi këto masa nuk janë specifikuar ende.

GREQIA, E PREKUR RËNDË

Greqia është prekur rëndë nga pandemia COVID-19 pasi sektori i madh i shërbimeve dhe varësia nga turizmi ndërkombëtar e bëjnë atë veçanërisht të prekshme nga goditjet e shkaktuara nga kufizimet e udhëtimit dhe masat e distancimit social.

Një përgjigje e shpejtë e politikave deri tani ka ndihmuar në zbutjen e ndikimit në punësim dhe biznese. Aktiviteti ekonomik në vitin 2021 pritet të mbështetet nga masat shtesë fiskale të paraqitura në projektbuxhet, ndërsa financimi nga Mekanizimi i Rimëkëmbjes nuk përfshihet në parashikim.

Rritja ekonomike ngeci në tremujorin e dytë… Në tremujorin e dytë të vitit 2020, PBB-ja reale ra me një nivel të lartë prej 14% në bazë tremujore, pas një rënieje relativisht të butë prej -0,7% në tremujorin e parë. Rënia ishte rezultat i masave të marra për të kufizuar përhapjen e virusit, të cilat ishin më të rrepta midis mesit të marsit dhe mesit të majit. Kërkesa e brendshme dhe eksportet u prekën rëndë.

Reagimi i shpejtë i politikës për të mbrojtur punësimin dhe për të siguruar likuiditetin për bizneset, parandaloi një ndikim më negativ në tregun e punës në gjysmën e parë të vitit. Papunësia arriti kulmin në 18% në qershor, nga 15.6% në shkurt, por ra në 16.8% në korrik.

Greqia

Aktiviteti ekonomik pritet të rimëkëmbet në njëfarë mase pas heqjes graduale të kufizimeve në mes të majit.

…por pritet të rimëkëmbet gradualisht

Aktiviteti ekonomik pritet të rimëkëmbet në njëfarë mase pas heqjes graduale të kufizimeve në mes të majit. Sidoqoftë, me disa kufizime ende në fuqi, që ndikojnë në sjelljen e konsumatorit dhe të ardhurat e disponueshme dhe rivendosjet e mundshme të masave për shkak të rritjes së numrit të infeksioneve, konsumi privat pritet të rimëkëmbet gradualisht gjatë periudhës së parashikimit.

Pasiguria e lartë, të ardhurat më të ulëta dhe kufizimet e likuiditetit dëmtuan investimet në gjysmën e parë të vitit 2020, por investimet publike dhe mbështetja e likuiditetit pritet të lehtësojnë rimëkëmbjen. Në përgjithësi, PBB-ja reale parashikohet të ulet me 9% në vitin 2020, e ndjekur nga një rikthim i pjesshëm me rritje prej 5% në 2021 dhe 3½ % në 2022.

Sektori i jashtëm gjithashtu regjistroi një rënie rekord në tremujorin e dytë të vitit 2020, me eksporte në rënie me 32% në bazë vjetore. Eksportet neto pritet të kontribuojnë negativisht në rritjen e PBB-së në 2020, por do të jenë sërish pozitive në rimëkëmbjen në 2021 dhe 2022.

Ndërsa eksportet e mallrave pritet të rikuperohen shpejt, eksportet e shërbimeve pritet të qëndrojnë shumë poshtë niveleve të para krizës, edhe përtej horizontit të parashikimit. Turizmi ndërkombëtar, i cili është veçanërisht i rëndësishëm për ekonominë e Greqisë, ishte nxitësi i rënies së madhe të eksporteve të shërbimeve në gjysmën e parë të vitit 2020. Ardhjet e turistëve pritet të rikuperohen vetëm pjesërisht në 2021 dhe 2022.

Reagimi i lehtë i normës së papunësisë ndaj rënies së aktivitetit ekonomik, deri tani mund t’i atribuohet pjesërisht masave mbështetëse që stimulojnë vendet e punës; megjithatë këtu ndikojnë edhe punëtorët që bëhen joaktivë, pasi humbin punën. Papunësia pritet të arrijë 18% në vitin 2020. Rimëkëmbja e pritur për vitin 2021 dhe 2022 pritet të përmbajë të papunët nën nivelin 17% në 2022. Nxitur nga çmimet e ulëta të energjisë, kërkesa e ngjeshur dhe ulja e taksës së TVSH-së, inflacioni pritet të jetë negativ në -1.3% në vitin 2020 përpara se të rikuperohet pjesërisht në 2021 dhe 2022.

Pasiguria mbetet shumë e madhe, veçanërisht në lidhje me sektorin e turizmit dhe kufizimet e udhëtimit, dhe madhësinë e mbetur të rezervave të kompanive. Rreziqet shtesë lidhen me tensionet gjeopolitike në rajon dhe presionet e migracionit.