Sa u shtrenjtuan drutë në Kosovë?

Çmimet e druve në Kosovë kanë shënuar një ngritje në krahasim me muajt e kaluar për shkak të sezonit të dimrit.

Aktualisht, një metër dru i llojit bung kushton prej 33 deri 43 euro varësisht nga rajoni.

Buletini Ekonomik ka kontaktuar me disa druvarë të rajoneve të ndryshme të Kosovës, të cilët kanë pasqyruar çmimet e druve, varëasisht prej llojeve të tij.

Reklama e sponzorizuar

Kështu rajoni i Istogut po del të jetë më i liri sa i përket çmimeve për metrin e druve.

B.Z, njëri nga druvarët në Istog, ka treguar se aktualisht një metër dru i llojit bung kushton rreth 33 euro në këtë rajon.

Sipas tij, çmimet kanë shënuar ngritje në krahasim me muajt qeshor dhe korrik të këtij viti.

 Çmimi i po këtij lloji gjatë këtyre dy muajve ka kushtuar 27 euro për metër me një diferencë prej 6 eurosh më lirë.

Ndërkaq, në rajonin e Prishtinës çmimet janë më të larta. Druvari B.G, ka thënë se çmimet për metër të druve levizin prej 40-43 varësisht nga lloji i tij.

“Bungu aktualisht shitet më së shtrejti në këtë rajon diku deri 43 euro për metër” tha druvari i kryeqytetit.

Sipas tij, çmimet në krahasim me muajin qershor kanë lëvizur prej 1 deri në 3 euro më shtrenjtë për metër.

Rajoni i Gjilanit, çmimin për metër të druve e ka prej 38 deri në 40 euro.

Edhe njëri prej druvarëve të këtij rajoni pohoi të njejtën gjë, që muajt e kaluar ka qenë një çmim më i volitshëm për blerje të druve.

Ai tha se përafërsisht një metër dru në muajt qershor-korrik është shitur diku 30 euro. Çmim pothuajse të njejtë kanë deklaruar edhe nga Suhareka.

L.B ka shtuar se aktualisht një metër dru në Suharekë po shitet 40 euro.