A e dini cilat janë konceptet më të rëndësishme në ekonomi?

Ne diskutojmë mbi shumë koncepte ekonomike, por ndonjëherë është mirë të kthehemi mbi ato më bazikët. Këtu do të gjeni një përmbledhje mbi dhjetë konceptet dhe teroritë më të rëndësishme në ekonomi.

1. Ekonomia ka dy rryma kryesore – Mikroekonomia dhe Makroekonomia

“Mikro merret me sjelljen e klientit, stimujt, çmimet, etj. Makro merret me ekonominë në tërësi dhe me gjëra më të mëdha siç janë normat e interesit, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB). Mikro është më shumë e dobishme për menaxherët dhe makro përdoret më shumë nga investitorët.

Reklama e sponzorizuar

2. Ligji i ofertës dhe kërkesës

Ky është parimi themeltar në ekonomi. Saherë që oferta për një produkt rritet, çmimi i tij zvogëlohet, dhe sa herë që kërkesa rritet, çmimi i atij produkti po ashtu rritet. Kështu, kur keni prodhim të tepërt të misrit, çmimet e ushqimeve ulen dhe anasjelltas. Mendoni për këtë në mënyrë intuitive. Do ta gjeni aplikimin e këtij ligji edhe në shumë gjëra tjera.

3. Marginal Utility (Dobia margjinale)

Sa më shumë që të keni diçka, aq më pak e vlerësoni. Kështu,100 dollarë do të ishin më të vlefshme kur fitoni 1000 dollarë në muaj sesa kur fitoni 1 milion dollarë në muaj. Ky parim përdoret gjerësisht në vendosjen e çmimeve.

4. Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB)

Kjo është masa themelore e madhësisë së një ekonomie. PBB është e barabartë me shumën e të ardhurave të të gjithë njerëzve në vend ose shumës së vlerës së tregut të të gjitha mallrave dhe shërbimeve të prodhuara në atë vend. Tani për tani Sh.B.A është ekonomia më e madhe për sa i përket PBB-së me rreth 14 trilion dollarë. Kjo do të thotë, 14 trilion dollarë vlerë prodhohen në Sh.B.A çdo vit.

5. Rritja ekonomike

Rritja e një ekonomie zakonisht matet për sa i përket shkallës së rritjes së PBB-së. Meqenëse PBB është një masë e të ardhurave kombëtare, rritja ekonomike (groëth rate) tregon për mënyrën se si të ardhurat mesatare të një personi rriten çdo vit.

6. Inflacioni

Tashmë ju e dini se çmimi i shumicës së produkteve në ditët e sotme është më i lartë se në kohën e gjyshit tuaj. Inflacioni (matur në përqindje) është masë që tregon se sa është rritur çmimi i produkteve të caktuar krahasuar me vitin paraprak. Në ekonomitë e zhvilluara, inflacioni vjetor është rreth 2 përqind – kjo do të thotë që mesatarisht çmimi i produkteve rritet me 2 përqind çdo vit. Roli themelor i bankave qendrore është të menaxhojnë këtë normë dhe ta mbajnë atë në një shkallë sa më të ulët.

7. Kamata

Kur i huazoni para dikujt, ju prisni diçka shtesë. Kjo tepricë quhet interes. Norma e interesit pra e mat këtë diferencë. Në afat të shkurtër, kjo normë zakonisht përcaktohet nga Bankat Qendrore. Në planin afatgjatë, kjo vendoset nga tregu dhe varet nga inflacioni dhe perspektiva afatgjate e ekonomisë. Mekanizmat përmes të cilëve bankat qendrore kontrollojnë normat afatshkurtra quhen politikë monetare.

8. Politikat fiskale

Qeveria mund të kontrollojë ekonominë duke rregulluar shpenzimet e saj. Grupi i mekanizmave që përdoren për këtë formojnë atë që njihet si ‘politikë fiskale’. Kur qeveria harxhon më shumë, kjo mund të çojë në rritje të kërkesës dhe kjo do të thotë, rritje e çmimeve. Kjo nënkupton rritje të madhe dhe inflacion të lartë. Kështu, qeveritë përpiqen të shpenzojnë më shumë gjatë periudhave të rritjes ekonomike të ulët dhe inflacionit të ulët si dhe të shkurtojnë shpenzimet gjatë periudhave të rritjes ekonomike të lartë dhe me inflacion të lartë.

9. Cikli ekonomik

Ekonomitë kanë periudhat e tyre të lulëzimit dhe të rritjes në cikle me gjatësi afro 7 vjet. Në fillimin e ciklit është një bum ekonomik, dhe pasi arrin në majë, pason me një tkurrje, që çon në recesion (periudhë e rritjes negative dhe / ose rritjes së papunësisë) dhe më në fund pasohet me një rritje të sërishme.

10. Kostoja oportune

Kur zhvilloni një biznes, ju, do ta dini se gjithçka po ju ec mirë, vetëm kur ky biznes krahasohet me alternativat.  Për shembull, derisa jeni duke punuar shumë gjatë një natë të premte në një projekt, mund të mendoni “Unë duhet të bëj diçka tjetër.” Alternativa (në këtë rast, ahengu me miqtë) ka një vlerë të lartë, prandaj sigurohuni që projekti juaj i tanishëm më mirë të jetë tërheqës. Kjo vlerë e alternativës cilësohet si një “kosto oportune” – pra vlera e asaj që hiqni dorë. Kështu, nëse braktisni një punë që paguan $ 120K / vit për të krijuar një startup, kostoja oportune është po ashtu $ 120K / vit. Pagesa juaj duhet të jetë më e lartë se ajo që hiqni dorë. /Buletini Ekonomik/