OBSH-ja rekomandon që Remdesiviri të mos përdoret për COVID-19, Zemaj premton se do të jetë falas

Një person 52-vjeçar nga Komuna e Skenderajt është në mesin e 19 të vdekurve nga Covid-19, të regjistruar gjatë 24 orëve të fundit. Me këtë, numri i rasteve me fatalitet ka arritur në 904.

Ndërkohë që edhe numri i rasteve të reja me COVID-19 ka vazhduar të jetë i lartë. Sipas njoftimit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, nga 1 mijë e 633 mostra të testuara në laboratorin e tyre e në ata privatë, 711 persona kanë rezultuar pozitivë, raporton KOHA.

Deri tani, totali i rasteve ka shkuar në mbi 33 mijë e 500, prej të cilëve mbi 20 mijë e 400 kanë arritur të shërohen.

Reklama e sponzorizuar

Edhe këtë herë më së shumti raste pozitive janë në Komunën e Prishtinës, gjithsej 309 raste, duke vazhduar në atë të Pejës me 63 e Ferizaj me 33 raste.

Ndërkohë, edhe klinikat e QKUK-së e spitalet regjionale janë duke u përballur me numër të lartë të pacientëve që janë duke u trajtuar. E, për trajtimin e kësaj sëmundjeje, bari Remdesivir në Kosovë është bërë medikamenti më i kërkuar dhe që blihet me çmim shumë të lartë.

Megjithëse OBSH së fundmi doli me qëndrim që nuk e rekomandon trajtimin e COVID-it me barin Remdesvir, ka disa rekomandime të tjera të mbështetura në literaturë shkencore për këtë trajtim në vende si Japonia, Kina dhe India.

E, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se do të blejnë një sasi të Remdesivirit dhe do të dhurohet falas për trajtim të pacientëve me sëmundjen e COVID-19.

“Besoj që shumë shpejt do të sigurohet edhe nga buxheti si blerje e Ministrisë së Shëndetësisë, edhe pse e dimë që është i kushtueshëm, e kemi edhe një proces tjetër përmes bashkësisë evropiane ku jemi pjesë e atij tenederimi të cilën e udhëheq Ministria e Financave dhe në këto dy rrugë jemi duke ecur me hapa të shpejtë në mënyrë që të jetë i siguruar Remidisivir që po përdoret si terapi”, tha ministri Zemaj.

Zemaj, duke premtuar se qytetarët e Kosovës do ta gëzojnë vaksinën anti-COVID, ka thënë se tashmë ka folur edhe për terapinë me plazmën e të shëruarve nga ky virus. Ai është shprehur optimist se protokolli për aplikimin e kësaj terapie do të miratohet shpejt.