OBSh: Remdesiviri nuk rekomandohet për pacientët me COVID-19, s’ka dëshmi për efekt pozitiv

Një panel i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha të premten se ilaçi Remdesivir nuk rekomandohet për pacientët e hospitalizuar me COVID-19, pavarësisht sa të sëmurë janë, sepse nuk ka dëshmi që ai e përmirëson shkallën e mbijetesës apo që e zvogëlon nevojën për përdorim të ventilatorit.

“Paneli gjeti mungesë të dëshmive se Remdesiviri i përmirëson rezultatet që kanë rëndësi për pacientët, siç janë zvogëlimi i vdekshmërisë, nevoja për ventilim mekanik, koha për përmirësim klinik dhe të tjerat”, thuhet në udhëzimin e kësaj organizate.

Paneli i Grupit për Zhvillimin e Udhëzimeve i OBSh-së tha se rekomandimi i tij është i mbështetur në rishikimin e dëshmive ku përfshihen të dhënat nga katër testime ndërkombëtare në mbi 7.000 pacientë me COVID-19.

Ky lajm është një hap tjetër prapa për substancën tashmë të famshme, e cila mori vëmendje botërore si ilaç i mundshëm për trajtimin e sëmundjes COVID-19 gjatë verës pasi testimet e para dhanë ca shpresë, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Në fund të tetorit, prodhuesi i Remdesivirit, kompania “Gilead”, e uli parashikimin për të hyra gjatë vitit 2020, duke cituar kërkesën më të vogël sesa është pritur dhe vështirësitë në parashikimin e shitjeve të kësaj substance.

Ilaçi antiviral është një nga dy ilaçet tash për tash të autorizuara për trajtimin e koronavirusit në mbarë botën, por një testim i madh, i udhëhequr nga OBSh-ja, dëshmoi muajin e kaluar se Remdesiviri ka pak ose aspak efekt në shkallën e vdekshmërisë ose në kohën e qëndrimit në spital të pacientëve me COVID-19.

Remdesiviri është përdorur edhe për trajtimin e presidentit në largim të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe në studimet e kaluara ka dalë se e shkurton kohën e shërimit të pacientëve. Ky ilaç është i autorizuar për përdorim si trajtim kundër koronavirusit në më shumë se 50 shtete.

Lini një koment!