Zemaj për ilaçin që kosovarët po e blejnë deri në 300 euro: ‘Remdisiviri’ shumë shpejtë do të vijë në Kosovë

Kosovarët po e blejnë ampulën e quajtur “Remdisivir” e cila u ndihmon atyre për ta luftuar më lehtë virusin Corona. E ky ilaç në barnatoret kosovare po shitet deri në 300 euro. Por zyrtarët shtetëror po deklarojnë se tashmë kanë nisur punët që qytetarëve t’ua sigurojnë falas këtë ilaç.

Kështu po thotë ministri i shëndetësisë, Armend Zemaj. Ai tha se MSH ka hartuar udhërrëfyesin klinik përmes së cilit parashihet që Remdisiviri të vijë në Kosovë.
“Ministria me hapa të shpejtë e ka hartu urdhëruesin klinik. Janë lehtësuar procedurat e importit. Jemi duke mëndu në dy variante një të brendshëm dhe një përmes bashkësisë evropiane.

Sido që te jetë shumë shpejtë remdisiviri do të vijë në Kosovë. do të rekomandohet nga mjekët. Ka kosto dhe ne sadopak me buxhetin që e kemi me një kontingjent të konsiderueshëm do ta sjellim.

Express dje ka raportuar rreth kësaj problematike. Në vazhdim gjejeni teksin e plotë rreth tij:

Paracetamol, antibiotikë, fraksiparinë, vitamina të ndryshme, albumina, e remdesivir– këto janë disa nga medikamentet që kosovarët e prekur me koronavirus e që janë në gjendje më të rëndë shëndetësore po i përdorin gjatë mjekimit të tyre. E kostoja e tyre shkon në qindra euro. Vetëm njëri nga këto ilaçe, ‘Remdesiviri’, po blihet deri në 300 euro nga pacientët e prekur me Covid 19. Këtë ilaç shteti ende nuk ka arritur që t’ua sigurojë qytetarëve në nevojë.

Në Klinikën Infektive të QKUK’së tash e disa javë është duke u trajtuar një 59 vjeçare nga Mitrovica. Gjendja e saj shëndetësore është e rëndë. Ajo është nën përkujdesjen e mjekëve dhe me terapi të shumta mjekësore. Disa nga to jepen falas e disa të tjera pacientët po detyrohen që t’i blejnë vet në disa prej barnatoreve private të kryeqytetit.

Djali i kësaj 59-vjeçareje ka rrëfyer për Express se ka blerë tre ampula të ‘Remdisivirit’ në vlerën e 200 eurove për një ampulë, në mënyrë që nëna e tij të shërohet më shpejtë nga Covid 19.

“Ka tri javë që nënën e kemi këtu (Klinika Infektive). Në bisedë me familjarët e pacientëve po flitet për këtë Remdisevirin. I pyeta mjekët thanë që i suksesshëm po është. Unë i gjeta mi ble. Tre ampula më kushtuan gati 600 euro”, rrëfen ky familjar.

Shteti: I kemi hapur procedurat e tenderimit, po presim oferta

Që nga fillimi i shtatorit Remdesivir po shitet në Kosovë me çmime të ndryshme, varësisht nga shteti që po importohet.

E autoritetet shëndetësore kosovare duket se tashmë e kanë në plan që ta blejnë këtë ilaç të cilin e ka përdorur edhe ish-presidenti i SHBA’ve, Donald Trump.

Nga Ministria e Shëndetësisë në Kosovë kanë njoftuar se tashmë kanë hapur procedurat e tenderimit për blerjen e “Remdesivirit”.

Këtë e ka konfirmuar, Faik Hoti nga MSh për Gazetën Express.

“Për Remdesivir janë hapur procedurat e tenderimit dhe pritet që Komisioni këtyre ditëve të bëjë vlerësimin e ofertave”, thotë Hoti.

Por infektologu Salih Ahmeti tregon efektet e mundshme të këtij ilaçi.

“Ky medikament në rradhë të parë kur jepet në kohën e duhur e zbutë stuhinë e citokineve. E qetëson ashpërsinë e manifestimeve klinike. E zvogëlon kohën e negativizimit të virusit në aspektin biologjik dhe jep përmirësime të mira klinikë”, thotë Ahmeti.

Barnatoret e shesin prej 100 deri në 300 euro një ampulë ‘Remidisivir”

Nga India, Turqia e Bangladeshi, po vijnë në Kosovë këto lloje të ilaçeve. Express ka pyetur në barnatoret e kryeqytetit rreth çmimit të këtij ilaçi.

Në katër barnatore të ndryshme në kryeqytet u dhanë çmime të ndryshme për këtë produkt.

“Kemi, ky lloj është nga India. Kushton 200 euro. Kemi edhe të Turqisë”, thotë një shitës në njëren nga barnatoret e kryeqytetit.

Një tjetër tregon se me këtë ilaç furnizohen nga shteti turk.

“Veç nga Turqia i marrim. Janë të shtrenjta valla. Edhe qytetarëve po i themi që të vijnë vec me recetë tëë mjekut. Se shumë shtrenjtë janë”, thotë një tjetër shitës I njërës nga barnatoret e Prishtinës.

Por çka është ‘Remdisiviri”, dhe për çka përdoret saktësisht?

Ilaçi i quajtur, Remdesivir, që besohet se zvogëlon kohën e shërimit të pacientëve nga koronavirusi, është miratuar për përdorim nga Sistemi Kombëtar i Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar.

Disa muaj më parë, shumë njerëz mund të mos kenë dëgjuar asnjëherë për ilaçin Remdesivir. Por, ky emër u përfshi në titujt e lajmeve në tërë botën, pasi hulumtimet fillestare treguan se mund të ketë një efekt të dobishëm te rastet e rënda të pacientëve me sëmundjen COVID-19.

Ilaçi antiviral u përmend sërish në lajme këtë javë kur Shtetet e Bashkuara njoftuan se po blinin pothuajse të gjitha rezervat aktuale të tij.

Remdesiviri i përket një klase të ilaçeve të njohura si “zëvendësim i nukleozidit”, të cilat përdoren gjerësisht në trajtimin e kancereve, viruseve dhe infeksioneve të ndryshme. Këto zëvëndësime ngjajnë me molekulat e njohura si nukleozide, të cilat ndodhen natyrshëm në trup dhe janë elemente thelbësore ndërtimi për ARN dhe ADN.

Disa viruse “mashtrohen” në përfshirjen e këtyre zëvendësimeve në materialin e tyre gjenetik. Kjo, pastaj e prish kiminë natyrale të një virusi, duke shkatërruar kështu aftësinë e tij për t’u riprodhuar dhe pengon përhapjen e tij.

A ka efekt në trajtimin e COVID-19?

Ende janë duke u bërë prova për efektivitetin e Remdesivirit në trajtimin e pacientëve me COVID-19, por ka shenja shpresëdhënëse se ilaçi është i dobishëm në trajtimin e sëmundjes, veçanërisht te pacientët në gjendje kritike.

Për shembull, rezultatet e një hulumtimi të botuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit në SHBA, treguan kjo terapi ka ulur kohën e qëndrimit në spital për pacientët me COVID-19 nga 15 në 11 ditë.

Gilead, kompania bio-farmaceutike në SHBA, e cila e prodhon ilaçin, gjithashtu ka raportuar se pesë ditë trajtimi me Remdesivir ka pasur efektin e 10 ditëve në trajtimin e pacientëve me COVID-19.

Më 1 maj, Administrata e Ushqimit dhe e Barnave e SHBA-së lëshoi me urgjencë lejen për përdorimin e ilaçit intravenoz për të rriturit dhe fëmijët e shtruar në spital.

SHBA-ja miraton ilaçin për trajtimin e koronavirusit

Remdesivir është gjithashtu ilaçi i parë që Shoqata Evropiane e Barnave e rekomandoi për përdorim të autorizuar në BE, në luftën kundër koronavirusit. Pas, këtij rekomandimi, Komisioni Evropian njoftoi se me procedurë të përshpejtuar e ka miratuar përdorimin e këtij ilaçi. Komisionarja Evropiane për Shëndetin dhe Sigurinë e Ushqimit, Stella Kyriakides, vlerësoi se miratimi është një hap i rëndësishëm në luftën kundër këtij virusi. “Kjo tregon qartë vendosmërinë e BE-së për të reaguar shpejt”, tha Kyriakides.

Remdesiviri ndoshta do të vazhdojë të përdoret si pjesë e një kombinimi të ilaçeve – të rinj dhe të vjetër – për të trajtuar COVID-19.

Për shembull, Deksametazona, një ilaç me kosto të ulët, i cili gjendet në dispozicion, është zbuluar se ka efekt në trajtimin e pacientëve me koronavirus.

Ilaçi tashmë është autorizuar për përdorim në trajtimin e COVID-19 në Mbretërinë e Bashkuar. Studiuesit thonë se Deksametazona zvogëlon numrin e vdekjeve të pacientëve.

Lini një koment!