IKSHPK-ja s’ka kryer testime për COVID-19 të dielën, MSH-ja s’jep përgjigje për këtë

13 persona të prekur me COVID-19 kanë vdekur në 24 orët e fundit. Numri i të vdekurve nga SARS CoV-2 në Kosovë ka shkuar në 822.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, nga 1.361 testime të kryera, të dielën janë regjistruar edhe 501 raste të reja, duke e çuar numrin e rasteve aktive në 10.990. Gjatë këtij 24-orëshi, janë shëruar 250 persona që kanë qenë të prekur me COVID.

Tri komunat me më së shumti raste të regjistruara brenda një dite janë Prishtina, me 249 raste, Ferizaj 45 dhe Gjakova 44 raste.

Reklama e sponzorizuar

E qytetarë që kanë shkuar të dielën në IKSHPK për ta bërë testin janë kthyer mbrapsht. Sipas videove që i ka siguruar KOHA atyre u është thënë se të dielën nuk mund të testohen dhe u është sugjeruar të shkojnë të hënën në mëngjes. KOHA ka kërkuar një qëndrim nga Ministria e Shëndetësisë përse nuk po bëhen testime të dielave, por nuk ka marrë përgjigje.

Policia e Kosovës ka njoftuar se në 24 orët e fundit ka shqiptuar 673 tiketa ndaj atyre që e kanë shkelur ligjin COVID-19.

E Qeveria e Kosovës përmes një njoftimi ka thënë se situata me COVID-19 është e rëndë sikurse në rajon dhe në BE. Sipas Qeverisë, në QKUK dhe në spitale rajonale është ngritur në nivelin më të lartë mobilizimi i stafit shëndetësor. Po ashtu, thuhet se është organizuar orari i stafit shëndetësor në përputhje me numrin e pacientëve që mund të paraqiten në spitale.

Qeveria ka bërë të ditur se janë rritur kapacitetet me shtretër dhe furnizim me oksigjen të lëngshëm dhe është funksionalizuar Mjekësia Sportive, ku janë shtuar edhe 101 shtretër shtesë për pacientë me COVID-19.

Qeveria është zotuar se po punohet në sigurimin e vaksinës krahas vendeve të BE-së. Ndërkaq bizneset dhe punëtorët i ka siguruar se nuk janë vetëm, duke iu premtuar përkrahje përmes fondit për rimëkëmbje.