Këto janë të gjitha masat e ndërmarra nga Qeveria

Qeveria e Kosovës, në krye me kryeministrin Avdullah Hotin,  sot gjatë një konferencë për media ka publikuar edhe masat më të reja në luftën kundër përhapjes së virusit Covid-19.

Në bazë të gjendjes së rëndë me pandemi, që çdo ditë e më shumë po shkon duke u rritur, Hoti tha se ndërmarrja e masave më drastike është e pashmangshme.

Hoti ka prezantuar hartën me shkallën e infeksioneve për 100 mijë banorë, duke thënë se Qeveria po shikon që të gjejë mënyra për t’i ulur këto shifra.

“E masat e ndërmarra na e përmirësuan situatën, por kur u kthye pandemia në regjion kemi edhe ne rritje. Është bërë riorganizimi, e kemi 838 numrin e shtretërve. Edhe numri me qasje ne oksigjen është rritur. 626 pacientë janë të shtrirë në QKUK dhe spitale”, ka thënë ai.

Harta është ndarë në tri grupe të komunave:

Grupi i rrezikut të ulët me ngjyrë të gjelbër me numër të të infektuarve për 100 mijë banorë është nën 75.

Zona me ngjyrë të verdhë nga 76 deri në 150 raste të reja në 100 mijë banorë, dhe

Zona e kuqe, në rrezikun më të lartë, ku numri i të infektuarve brenda javës tejkalon shifrën e 150 rasteve të reja në 100 mijë banorë.

Masat më të reja të cilat do të hyjnë në fuqi nga dita e premte janë:

-Arsimi i lartë do të kalojë plotësisht në formën online,

-Ekipet mjekësore do të rivendosen prapë nëpër pikat kufitare që të bëjnë kontrolla të udhëtarëve,

-Komunat do të duhet t’i ngrisin shtabet emergjene për mbikqyrje të personave me Covid-19, personat mbi 65, si dhe të sëmurit kronik që kërkojnë ndihmë, duke bërë që stafet mjekësore maksimalisht të mundohen të shkojnë në shtëpitë e tyre.

-Me masat e reja lejohen veprimtaritë e sektorit të shëndetësisë, i sigurisë, sektori i bujqësisë dhe blegtorisë, trasportit të mallrave, dhe sektori i shërbimit të mallrave.

Në komunat me të gjelbër, lejohet veprimtaria e Operatorëve ekonomikë prej orës 05:00 deri 20:00, Transporti publik me 50% e kapaciteteve, taksitë me numër të pakësuar të pasagjerëve. Veprimtaritë e gastronomisë dhe hotolerisë nga ora 05:00 deri në orën 20:00, pas kësaj ore vetëm shërbimi ‘merr me vete’.

Në komunat me ngjyrë të verdhë, Operatorët ekonomikë lejohen nga ora 05:00-18:00, Gastronomia 05:00-18:00, kurse pas kësaj ore me porosi dhe shërbimi ‘merr me vete’, kurse institucionet publike dhe private do të punojnë vetëm me stafin esencial. Gjithashtu, Qendrat tregtare do të lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në 18:00.

Ndërkohë, të gjitha qendrat e tjera nëpër komunat që tejkalojnë mbi 150 numrin e të infektuarve janë me rrezikshmëri të lartë. Pra, komunat që janë në zonën e kuqe janë: Prishtina, Podujeva, Obiliqi, Fushë-Kososva, Mitrovica e Jugut, Gjilani, Ferizaj, Shtimja, Gjakova dhe Peja. Në këto komuna lejohet aktiviteti ekonomik të zhvillohet vetëm deri në orën 19:00. Nga ora 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik dhe kufizohet çdo lëvizje e qytetarëve. Ndalohen gjithashtu edhe hyrje-daljet nga ora 19:00-05:00.

Këto masa menjëherë pas konferencës do të finalizohen dhe pritet të hyjnë në fuqi tek të premten nga ora 19:00.

Hoti për fund shtoi se nuk mund të mbyllet komplet shteti për arsye se mund të ketë pasoja fatale për ekonominë. /Buletini Ekonomik/

Lini një koment!