Çfarë mendojnë qytetarët për tërheqjen e 10% nga Trust-i?

Tërheqja e 10 përqindëshit të pensioneve në Trust po shihet si mundësi e mirë për ata qytetarë që kanë më shumë mjete të kursyera. Mirëpo jo edhe për Xh.Muqaj, i cili nga kjo mundësi mund të tërheq vetëm 20 euro.

Marigona Xhigoli

Gjysma e kontributdhënësve apo mbi 312 mijë persona kanë më pak se një mijë euro të kursyera në Trust. Ndërsa, rreth 27% e tyre apo afër 167 mijë persona mund të tërheqin mesatarisht 9 euro.

Reklama e sponzorizuar

Qytetari Xh.Muqaj është njëri nga kontribuesit në Trust që nuk do të përfitojë ndonjë gjë nga mundësia për tërheqjen e 10 përqindëshit nga pensionet. Tërheqja e 10% është mundësi e mirë për ata që kanë më shumë para të kursyera, mirëpo për Muqajn nuk ekziston një mundësi e tillë.

‘Unë deri më tani kam vetëm 200 euro si kursime në Trust. Nga matematika ime me bie që t’i tërheq 20 euro. Mirëpo, ashtu siq kam informacion nuk kam mundësi që ti tërheq sepse është një shumë e caktuar se prej sa kursimeve mund të tërheqësh 10%-shin”, thotë ai.

Në anën tjetër, kjo po shihet si mundësi e mirë për ata qytetarë që kanë më shumë mjete të kursyera. Besnik Krasniqi, për 38 vite sa punoi arriti të mbledhte 9000 euro “kursime” në Trust. “Eshtë vendim i nevojshëm sidomos në periudhën në të cilën gjendemi. Unë do t’i tërheq paratë e mia sapo të kem mundësi”, shprehet ai.

Bazuar në llogaritjet nga Trusti, 630 mijë e 349 persona të cilët janë pjesë e kësaj skeme do të kenë mundësi të tërheqin para. Saktësisht, shuma që do të tërheqet është rreth 200 milionë euro. Tërheqja e parakohshme e të hollave nga Trusti sipas raportit të publikuar nga Instituti Gap, do të reduktonte kursimet e qytetarëve kontributpagues të dedikuara për moshën e pensionimit. Marrë parasysh kthimin mesatar të Trustit në investim, tërheqja e 1 mijë eurove në moshën 40 vjeçare redukton rreth dy mijë euro kthim në interes apo rreth 3 mijë euro në total më pak për periudhën e pensionit.

Kurse personat që tërheqin 2 mijë euro humbasin rreth 4 mijë euro interes për 25 vitet e ardhshme. Qytetarja Violeta Krasniqi, tërheqjen e parave nuk e mendon si mundësi të mirë. Përgjatë shtatë viteve sa ka punuar ajo nuk ka informacion se sa para i janë grumbulluar në Trust.

“Kam punuar shtatë vite dhe për këto shtatë vite nuk e di se sa do të marr nga 10%. Si ide nuk është aspak e mirë bile unë nuk do e bëj fare tërheqjen e parave”, thotë ajo.

Sipas raportit të GAP, dallime të theksuara në kontributet në Trust ka edhe sa i përket gjinisë. Rreth 67% të kontributpaguesve janë burra dhe vetëm 33% gra. Në vitin 2019, kontributi mujor në Trust për një grua punëmarrëse ishte 40.59 euro ndërsa për një burrë 46.47 euro.

Edhe Donis Sylejmani, ish punëtor në një kompani private në Kosovë, nuk e mendon si mundësi të mirë tërheqjen e kësaj “ndihme” nga Trusti.

“Sipas meje, tërheqja e 10% për dikë që ka punuar 2-3 vite është vetëm “hajgare” nga qeveria dhe jam shumë kundër këtij vendimi. Unë përgjatë 27 muajve sa kam punuar, në Trust kam mbledhur 1078 euro. 10% i kësaj shumë po i bie 107,80 euro e që për mua është shumë “shaka”, tregon Sylejmani.

Qytetari në pension, Esad Dujaka, 10% e cilëson si “lëmoshë” për qytetarët të cilët janë ende në punë.

“…Tash ky 10% është një lloj lëmoshe sociale që ua mundëson njerëzve që ende janë në punë te kenë një trohë mbështetje materiale per te mos e thënë sociale…!”, shprehet ai.

Dujaka në llogarinë e tij në Trust shprehet se nuk ka më para. Ai madje ankohet edhe për tatimin që paguhet gjatë marrjes së pensionit.

“Jo nuk kam para në Trust! Trusti cakton shumën e kthimit! Madje edhe kohëzgjatjen..madje në çdo pagesë ndalë sërish tatim, p.sh. unë e merrja këstin mujor 150 euro,…kurse në fakt 147 euro…”, thotë ai.

Florend Bajrami e mendon si mundësi të mirë atë të tërheqjes së benefiteve nga Trusti. Nga kjo mundësi ai do të tërheqë 200 euro.

“Punoj tashmë 5 vite e nga tërheqja do ti marr 200 euro. Unë mendoj që është mundësi e mirë dhe do ta zbatoj këtë mundësi në momentin e parë që bëhet legjitime”, tregon ai. Por ka edhe qytetarë që mendojnë se paratë e Trustit nuk duhet të preken.

Arberie Palushi mendon se paratë e Trustit janë paratë e pleqërisë dhe ato duhet të mbesin si të tilla.

“…Nuk po besoj që zgjidhja e vetme është me i nxjerr paret e Trusit, ku në fakt shteti është ai që duhet me i pasë pakot emergjente e me i ndihmu vendit në kësi raste. Mendoj që këto paret e trustit janë parët e ‘pleqërisë’, e s’po më duket e drejtë si ide”, tregon Palushi.

Kujtojmë se me 12 tetor, Kuvendi i Republikës së Kosovës e miratoi në lexim të parë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike ku përfshihet edhe ndryshimi ligjor që mundëson tërheqjen e 10% në Trust nga qytetarët. Kuvendi duhet që këtë projektligj ta miratojë edhe në lexim të dytë dhe pas kësaj duhet të dekretohet nga Presidenti i Kosovës. Në momentin që dekretohet ligji nga Presidenti, dhe më pas publikohet në Fletoren Zyrtare, ai hynë në fuqi. Atëherë Trusti do t’i bëj të ditura të gjitha detajet e aplikimit për tërheqjen e 10%-shit. /Buletini Ekonomik/