Asnjë deputet në sallë, shtyhet seanca për shqyrtimin e dytë të Projektligjit të Rimëkëmbjes

Nuk ka pasur kuorum për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës për shqyrtimin e dytë të Projektligjit të Rimëkëmbjes Ekonomike.

Në sallë nuk ishte asnjë deputet, transmeton KOHA.

Shefi i GP të LDK-së ka kërkuar që kjo seancë të shtyhet për 11 nëntor në ora 11:00 shkaku i zhvillimeve të fundit.

Reklama e sponzorizuar

Raporti me amandamente i këtij projektligji kaloi edhe në Komisionin parlamentar për Legjislacionin paraditen e sotme. Për votuan pesë anëtarë të komisionit kurse një abstenoi.

Ndryshe projektligji për rimëkëmbje ekonomike kishte kaluar në lexim të parë më 12 tetor, teksa pro saj kishin votuar 64 deputetë.

“Siç mund të evidentohet për të zhvilluar punimet kjo seancë nuk ka kuorum. Poshtu ashtu shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në cilësinë e propozuesit ka kërkuar që kjo seancë, duke marrë parasysh situatën e fundit të krijuar në vend, ka kërkuar në emër të deputetëve nënshkrues për kërkesë të jashtëzakonshme që kjo seancë të shtyhet për 11 nëntor 2020, ditë e mërkurë, në ora 11:00”, ka thënë Kujtim Shala, nënkryetar i Kuvendit.