Jashtëligjshëm ambasadorë

Njeriu që e ushtron detyrën e drejtorit të përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Delfin Pllana, sipas burimeve të KOHËS, jashtëligjshëm e në konflikt interesi është ngritur në gradë diplomatike, e më pas, me kërkesë të Qeverisë, presidenti Hashim Thaçi e ka konfirmuar për ambasador. Sipas burimeve, gradën më të lartë diplomatike e ka marrë edhe Frymëzim Isufaj, dhe të njëjtën është në rrugë ta sigurojë edhe Fatmire Musliu.

Këtë informatë KOHA e ka siguruar nga një zyrtar i lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, i cili ka folur në kushte anonimiteti, dhe ajo nuk është mohuar as nga Ministria e as nga zëvendësuesi i drejtorit të përgjithshëm.

“Delfin Pllana në mënyrë jashtëligjore dhe në konflikt të interesit e ka ngritur gradën nga ministër-këshilltar në ministër, dy javë më parë, dhe pas disa ditësh, pas një takimi që ai dhe ministrja Meliza Haradinaj e kanë pasur të hënën e javës së shkuar me presidentin, i është dhënë grada ambasador”, ka thënë ky burim. “Të njëjtën gradë ambasador e ka marrë edhe Frymëzim Isufaj. Edhe ai pas ngritjes në gradën ministër”.

Tek ka folur për Pllanën, ai ka treguar se në çfarë procedure ka ndodhur gradimi.

“Sipas ligjit, ngritjen në gradë e bën Komisioni për grada dhe disiplinë, ndërsa drejtori i përgjithshëm bën rekomandim për ngritjen në detyrë. Në rastin e Pllanës, duke qenë ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm, ai njëherë ka rekomanduar veten tek ministrja për ngritje në gradën ministër, e pas një a dy jave pasi që e ka marrë gradën ministër nga ministrja, është rekomanduar sërish për gradën ambasador”, ka thënë zyrtari i Ministrisë.

Edhe një deputet që është anëtar i Komisionit parlamentar për punë të jashtme ka konfirmuar se informata për këtë u ka mbërritur në rrugë jozyrtare. Dhe ka theksuar se shumë shpejt do të mund të pritet konfirmimi, pas të cilit zhvillim Komisioni do ta trajtojë rastin.

Bazuar në nenin 21 të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm, ngritja në detyrë e nëpunësve të këtij shërbimi bëhet “me vendim të ministrit të Punëve të Jashtme, në bazë të propozimit të drejtorit të përgjithshëm”. Neni 28, ndërkaq, thekson se gradat jepen nga Komisioni i Gradave dhe i Disiplinës, mbi bazën e të dhënave që ndodhen në dosjen personale të çdo punonjësi dhe në bazë të vlerësimeve të bëra, sipas kritereve dhe rregullave të përcaktuara në Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm.

Në jo pak raste drejtori i përgjithshëm ka rekomanduar gradat duke u bazuar në nenin 21 të ligjit, ani se ky nen ia njeh vetëm të drejtën që të japë rekomandime për “ngritjen në detyrë” të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm. Përkundër kësaj, sipas burimeve, duke u bazuar në këtë dispozitë, Pllana ka bërë disa rekomandime për diplomatët, e së fundmi e ka rekomanduar edhe veten për të kaluar nga “ministër këshilltar” në “ministër”, e cila është grada më e lartë pas ambasadorit.

Gradimi – konflikt i pastër interesi

Lëvizja “Çohu” është organizatë që për qëllim ka kufizimin e ndikimit të korrupsionit politik në institucionet publike të Kosovës.

Juristi Genc Nimoni zhvillon aktivitetin në këtë organizatë dhe argumenton pse një situatë e këtillë përbën konflikt interesi, ani se Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit nuk e parasheh qartë si konflikt të pastër interesi një situatë të tillë.

“Nuk mund ta vlerësosh dhe rekomandosh veten për një gradë avancuese dhe kjo duket konflikt, pra është konflikt në dukje. Vlerësimi dhe rekomandimi do të duhej të vinin zakonisht nga autoriteti që bën vlerësimin e punës dhe performancës së zyrtarit, në këtë rast drejtorit në fjalë. Edhe në bazë të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm, vlerësimin e punës së një nëpunësi, do të duhej ta bënte mbikëqyrësi i tij”, ka thënë Nimoni. “Në rastin konkret, kemi të bëjmë me situatën kur pamundësohet një gradim meritor, dhe e cila bie në kundërshtim etik”.

E Butrint Berisha, hulumtues në Institutin e Prishtinës për Studime Politike (PIPS), i cili është autor i disa studimeve për Shërbimin e Jashtëm, ka konstatuar të jetë konflikt i pastër interesi nëse një gradim i këtillë ka ndodhur. Kjo, pasi ka theksuar se në një situatë të këtillë, qartazi kemi të bëjmë me përdorimin e një funksioni të caktuar institucional për avancim të interesit personal.

“Mundësia që drejtori i përgjithshëm të rekomandojë gradimin e diplomatëve është menduar të shfrytëzohet për raste shumë specifike, pra vetëm atëherë kur është e domosdoshme për objektivat e misionit diplomatik dhe natyrisht kur janë përmbushur kriteret ligjore”, ka thënë Berisha. “Një rast i këtillë do të ofronte një kontribut, jo për misionin diplomatik të Kosovës, por në lëmin gjuhësor, pasi do të zbulonte një togfjalësh të ri: vetëgradim”.

Për gradën tjetër – atë të ambasadorit – situata me ligjin është shumë e qartë. Gradimi i Pllanës bie ndesh me Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm, dokument ky që kërkon kalimin e kohës për së paku një vit, nga fitimi i një grade tek tjetra.

“Anëtarët e Shërbimit të Jashtëm të cilët kanë grada diplomatike a konsullore, pasi të kenë shërbyer 1 (një) vit në pozita në Shërbimin e Jashtëm, kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për gradim ose emërim në pozita të reja”, thuhet në pikën e parë të këtij neni.

Butrint Berisha thotë se edhe vetë legjislacioni në fuqi imponon kalimin e një periudhe mes gradash.

“Legjislacioni në kuadër të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm dhe Rregullores për Shërbimin e Jashtëm e përcakton se kalimi ndërmjet gradave varet edhe nga koha e shërbimit, minimum 1 vit. Pra, grada do duhej të ishte diçka që fitohet pas vlerësimit pozitiv të punës, jo diçka që dhurohet për arsye të caktuara”, ka thënë ai. “Shfrytëzimi i hapësirave ligjore, në raste të tjera shkelja e bazës ligjore, për përfitim të gradave është diçka që nuk duhet lejuar të ndodhë në heshtje”.

KOHA e ka pyetur Pllanën nëse e konsideronte konflikt interesi rekomandimin e vetes për t’u ngritur në gradë, por prej tri ditësh nuk ka dhënë përgjigje. Është telefonuar edhe në zyrën e tij, dhe zyrtarja që është lajmëruar ka premtuar se do t’ia përcjellë porosinë për ta ofruar një përgjigje. Megjithëkëtë, një e tillë nuk ka mbërritur në redaksi.

Në Ministri, po kështu, prej tri ditësh nuk kanë ofruar informatat e kërkuara për këtë rast. Megjithëkëtë, në një përgjigje të mëhershme e cila nuk është publikuar deri tash, ia kanë njohur të drejtën Pllanës për të dhënë rekomandime gradimi.

“Ushtrimi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm (apo edhe i sekretarit të përgjithshëm), në të kaluarën dhe tani, bëhet duke i ushtruar në plotni kompetencat ligjore që i lejojnë dispozitat ligjore në fuqi, përfshirë edhe mundësinë e rekomandimit në detyrë apo gradë”, thuhet në përgjigje. “Rrjedhimisht, z. Pllana, pavarësisht kohëzgjatjes së ushtrimit të kësaj detyre, duke qenë pjesë e Shërbimit të Jashtëm që nga themelimi, tani në cilësi të zëvendësuesit të drejtorit të përgjithshëm ka autoritetin ligjor dhe legjitimitetin funksional për të bërë rekomandim për ngritje në detyrë apo gradë”.

Pllana nuk e ka rekomanduar veç veten në këtë tur gradimesh.

Me rekomandimin e tij, ka avancuar si diplomat edhe Frymëzim Isufajn, njeriu të cilin vitin e shkuar presidenti Thaçi e kishte “dekretuar” për ambasador në Mbretërinë e Bashkuar, por që ,sipas raportimeve, shteti pritës nuk e kishte lëshuar agrementin, meqë e kishte kontestuar dekretimin e tij, shkaku që ishte bërë me propozim të një Qeverie në detyrë. Propozimi ishte bërë nga Qeveria e kryeministrit Ramush Haradinaj, disa kohë pasi Haradinaj kishte deklaruar dorëheqjen nga kreu i ekzekutivit.

As tash Isufaj nuk ka kaluar në Komisionin për grada dhe disiplinë. Përpara se të propozohej si konsull i përgjithshëm në Nju-Jork e ka marrë gradën me rekomandim të Pllanës, kanë konfirmuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, nëpërmjet një përgjigjeje të dhënë tri javë më herët.

Isufaj ka shërbyer në Ambasadën e Kosovës në Washington që nga viti 2014, ndërsa nga viti 2016 në cilësi të zëvendësshefit të misionit me gradën diplomatike “ministër këshilltar”.

“Z. Isufaj është rekomanduar për ngritje në gradë bazuar në kriteret bazë, si koha e shërbimit, vlerësimi i punës së tij dhe vlerësimi i rezultateve të punës, duke u mbështetur në dispozitat ekzistuese ligjore në fuqi dhe vlerësimet pozitive të eprorëve të z. Isufaj…”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë. “Kjo procedurë legale dhe legjitime e ngritjes së gradave (ngritje në detyrë) ka ekzistuar edhe më herët si praktikë e zbatimit të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm. Ka me dhjetëra raste kur jashtë Komisionit të gradave ish-drejtori i përgjithshëm, ambasadori Albert Prenkaj, ka bërë rekomandime për ngritje në gradë për diplomatët e karrierës, duke u bazuar në këtë nen. Kjo tregon edhe praktikën e zbatimit të nenit 21, të bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme. Andaj duhet ta dini se ky veprim është krejtësisht brenda Ligjit”.

Bazuar në këtë interpretim, Ministria ka legjitimuar ngritjen në gradë me rekomandim të Drejtorit të Përgjithshëm, dhe ka barasvlerësuar “ngritjen në detyrë” për të cilën flet neni 21 i ligjit, me “ngritjen në gradë” që i njëjti Ligj kërkon të bëhet vetëm duke kaluar nëpër Komision.

Edhe për Isufajn, vetëm pak kohë pasi i është dhënë grada “ministër”, është rekomanduar te presidenti për ta bërë ambasador.

“Rekomandimi për ngritje në gradë për z. Isufaj është bërë pas propozimit të z. Isufaj për konsull të përgjithshëm në Nju-Jork, dhe mbështetet në përgatitjen e tij profesionale, si dhe kontributin e tij të dhënë në forcimin e Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigje. “Për më shumë, rekomandimi mbështetet edhe në nevojën që misioni më i rëndësishëm multilateral i Republikës së Kosovës, Konsullata e Përgjithshme në Nju-Jork, të udhëhiqet nga diplomat karriere me gradë kompatibile, e cila do t’ia mundësojë z. Isufaj të komunikojë dhe bashkërendojë aktivitete me homologët e tij nga vendet e tjera të botës, të cilët në shumicën absolute të rasteve shërbejnë në rang ambasadorësh apo të shefit të misionit”.

Heshtja e Presidencës

Ministria tani ka refuzuar të ofrojë informacione edhe për këtë raste, dhe të njëjtën gjë e ka bërë edhe Presidenca, ani se burime të gazetës kanë theksuar se kreu i shtetit i ka miratuar propozimet për ambasador, edhe për Pllanën e edhe për Isufajn.

Në fillimvit, Glauk Konjufca gjatë kohës sa ishte ministër i Jashtëm, kishte gjetur se shumë anëtarë të Shërbimit të Jashtëm jashtëligjshëm nuk i ishin nënshtruar procesit të rotacionit, dhe kishte vendosur që një numër të madh t’i kthente nga misionet jashtë vendit për të shërbyer në Ministri.

Në mesin e tyre ishin edhe Isufaj e edhe Fatmire Musliu, e cila është motër e deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu. Sipas burimeve të KOHËS, Musliu tek tash është kthyer në Kosovë, por bashkë me kthimin është në rrugë të mirë për të marrë një shpërblim – gradën e ambasadores.

Burimi ka theksuar se ministrja Haradinaj e ka propozuar te presidenti Thaçi që t’i jepet grada më e lartë diplomatike, por nuk ka qenë i sigurt nëse ajo i është konfirmuar ose jo.

Dy javë më parë Fatmire Musliu ka publikuar një fotografi me presidentin Thaçi, të shkrepur në zyrën e kreut të shtetit, së cilës ia ka bashkëngjitur këtë përmbajtje: “Sot kisha nderin të takoja Presidentin e Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi. Është një ndjenjë e veçantë kur në krye të shtetit ke njeriun që me aktivitetin e tij vuri themelet për çlirimin dhe ndërtimin e vendit”.

As Musliu nuk ka treguar nëse është në proces gradimi apo është graduar si ambasadore, ani se kishte premtuar ta jepte një përgjigje.

“Ju lutem të më jepni një afat prej 24-orësh për t’ju kthyer përgjigjet që keni kërkuar, sepse siç e dini mua më duhet të koordinohem me MPJD-në”, ka shkruar ajo pak kohë pasi i ka pranuar pyetjet të hënën.

Disa orë më vonë ka ndërruar qëndrim, dhe ka kthyer një emaili me këtë përmbajtje: “Meqenëse pyetjet e njëjta i keni dërguar edhe në MPJD, atëherë edhe unë po shpresoj që MPJD do t’ju kthej përgjigjen. Mua nuk më lejohet të dërgoj përgjigje pa lejen e MPJD-së”.

E një zyrtar në Ministri ka treguar se përgjigje nuk do të ketë, nën arsyen se ministrja Haradinaj ka urdhëruar të mos i ofrohen KOHËS informatat që i kërkon.

Për praktikën e re të emërimit në gradën ambasador, në Komisionin parlamentar për punë të jashtme kanë thënë se do të reagojnë sapo ta marrin informatën zyrtarisht.

Komisioni drejtohet nga Time Kadrijaj, deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, së cilës parti i takon edhe ministrja Haradinaj. Ajo ka thënë të mos jetë informuar për këtë rast, e megjithëkëtë ka theksuar se do ta trajtojë lëndën.

“Deri tash ne kurrfarë materiali prej Ministrisë së Jashtme nuk kemi marrë”, ka thënë Kadrijaj. “Mua më duhet ta marr informatën e saktë dhe ta trajtojmë se si ka shkuar procedura e gradimit”.

Këto raste gradimi nuk janë bërë sipas Rregullores për Shërbimin e Jashtëm, e cila në pikën 14 përmban procedurën e dhënies së gradave. Bazuar në të, Komisioni për grada dhe disiplinë takohet sipas kërkesës së kryesuesit që të konfirmojë dhënien e gradave për anëtarët e rinj të shërbimit të karrierës, përfshirë ambasadorët; të ngarkuarit me punë; shefat e misionit; e zyrtarët diplomatikë dhe konsullorë. Sipas kësaj dispozite, Komisioni takohet që të konfirmojë dhënien e gradimeve sipas meritave dhe rritjet e shkallës (gradës) së brendshme që rezultojnë pas shqyrtimit për vlerësimin e rezultateve të punës. Aty theksohet se rezultatet e konfirmimit të Komisionit për dhënien e gradave raportohen te ministri, i cili duhet të miratojë vendimet përfundimtare të dhëna nga Komisioni.