Bizneseve u kërkohet përditësimi i të dhënave në ATK

Me qëllim të mundësimit të ekzekutimit të mjeteve në shumën prej 60 milionë euro, sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës 10/33 të datës 28.09.2020, për subvencionimin e linjës së pagave për bizneset aktive, Ministria e Financave fton bizneset e Kosovës që të bëjnë përditësimin e të dhënave të tyre në sistemin EDI të Administratës Tatimore të Kosovës.

Sipas MF-së, përditësimi i të dhënave në afat sa më të shpejt do t’i mundësojë ministrisë që ta realizojë ekzekutimin e shpejt të pagesës, duke evituar vonesat eventuale të krijuara për shkak të të dhënave të gabuara që mund të figurojnë në sistemin EDI (sikurse numri i xhirollogarisë bankare, numri fiskal, etj.).

“Pagesa për bizneset do të realizohet një herë dhe nuk do të ketë nevojë për aplikim nga kompanitë, sepse ato do të kualifikohen me automatizëm nëse plotësojnë kriteret e përcaktuara në vendimin e Qeverisë Nr. 10/33 të datës 28.09.2020”, thuhet në njoftimin e MF-së.

Reklama e sponzorizuar

Siç është bërë e ditur në vendimin e Qeverisë, nga kjo masë do të përfitojnë të gjitha bizneset aktive, përveç ndërmarrjeve publike dhe kompanive me treg të rregulluar.