AUV me pak inspektorë e me kontrolle të pjesshme

Kosovarët vazhdojnë të hanë produkte të dyshimta në mungesë të kontrolleve të mjaftueshme nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV). Kapacitetet për kontroll të kësaj agjencie janë të mangëta, me pak inspektorë dhe me kontrolle të pjesshme.

Mirjeta Shabani

Mungesa e inspektorëve për mbikqëqyrjen e sigurisë së ushqimit, kontrollat e pjesshme nëpër fabrika e thertore të mishit, si dhe therja e pakontrollluar e kafshëve nëpër tregje të palicenuara nëpër komuna, janë vetëm disa nga problemet me të cilat po përballet Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

Reklama e sponzorizuar

Një raport i fundit i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për sigurinë e ushqimit në vend, ka ngritur dyshime serioze për konsumim të mishit të dyshimtë nga qytetarët, si pasojë e mungesës së kontrollave nga AUV.

Problemi më i madh është mungesa e inspektorëve.

Në Kosovë, aktualisht janë vetëm 66 inspektorë që bëjnë kontrollimin e ushqimit në të gjithë zinxhirët ushqimorë. Prej tyre, 36 janë inspektorë të brendshëm që bëjnë kontrollet nëpër tregjet komunale, kurse 31 janë inspektorë kufitar që kanë për detyrë kontrollimin e produkteve që vijnë nga importi.

Mungesa më e madhe e kontrolleve është tek produktet me prejardhje shtazore. Kosova ka vetëm 12 inspektorë veterinarë për kontrolle të brendshme dhe 12 tjerë për kontrolle kufitare.

Përveç mungesës së inspektorëve, auditimi i kryer nga ZKA-ja ka konstatuar se në Kosovë ekzistojnë edhe tregje të palicencuara apo ilegale që nuk i plotësojnë fare kushtet për therjen e kafshëve. Madje, këto tregje nuk kontrollohen as nga AUV e as nga komunat përkatëse.

“Përveç thertoreve të licencuara, në vendin tonë kryhen edhe therje në tregje të pa licencuara (ilegale) të cilat nuk i plotësojnë kushtet për therje të kafshëve. Këto tregje nuk kontrollohen as nga agjencia dhe as nga komunat”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Auditori ka nxjerrë në pah se AUV ende nuk e ka plotësisht funksional sistemin e sigurisë në tërë zinxhirin ushqimor në vend.

Në raportin “Siguria në Ushqim” të vitit 2019, thuhet se vetëm “në sektorin e veterinarisë janë të punësuar tre inspektorë dhe kryejnë inspektime në thertore dhe mishtore”. Pra, janë vetëm tre inspektorë të AUV-it që i mbulojnë kontrollet e mishtoreve dhe therrjeve të kafshëve në tërë Kosovën.

Nga AUV kanë thënë për Buletinin Ekonomik, se raporti i ZKA-së iu referohet tre inspektorëve që vet AUV-i ua delegon detyrat e kontrollit për therje. Ndërsa, nëpër komunat ku nuk ka inpektorë veterinarë të punësuar, punën e kontrollit të therjeve të kafshëve e bëjnë inspektorët komunal, që sipas AUV-it janë profesionistë të fushës.

“Raporti i Auditorit u referohet tre inspektorëve të cilët AUV sipas mandati qe ka  iu delegon detyrat e kontrollit të therjeve.  Në komunat ku nuk ka pozita inspektor veterinarë të punësuar, me qëllim që therja e kafshëve të mos realizohet pa kontrolle veterinare, kontrolli i therjeve realizohet nga inspektorët komunal. Ata janë profesionist të fushës dhe janë veterinarë zyrtar të punësuar në institucione shtetërore. Kontrolli i therjeve në thertore të  licencuara bëhet gjatë gjithë vitit”, thuhet në përgjigjet e kësaj Agjencie.

Kontrollimi i fabrikave të mishit bëhet vetëm në 4 muaj të vitit

Sipas zyrtarit për informim në AUV, Lamir Thaçit, në Kosovë funksionojnë gjithsej 60 fabrika për përpunimin e mishit dhe 52 thertore.

Ndërsa, sipas Auditorit, këto fabrika e thertore kontrollohen vetëm në 4 muaj të vitit. Si rrjedhojë e kësaj, muajt tjerë mbesin të pambuluar me kontrolle.

“Nuk ka ndonjë analizë të rrezikut për të përcaktuar periudhat adekuate të kontrolleve”, thotë raporti.

Në lidhje me këtë, nga AUV-i thonë se “kontrollet e fabrikave të përpunimit të mishit realizohen sipas planit të kontrolleve zyrtare, i cili bazohet në vlerësim të rrezikut. Kontrollet parashihen të realizohen 1 herë, 3 herë dhe 6 herë në vit varësisht nga kategorizimi i operatorëve”.

Nuk ka raportim të rezultateve të kontrolleve për gjendjen e secilës kompani

Sipas raportit të Auditorit nuk ka ndonjë koordinim mes Drejtorisë së Shëndetit Publik (DSHP) dhe Drejtorisë së Inspektoratit (DI) për raportimin e rezultateve të kontrolleve për kompanitë që merren me shitjen e mishit nëpër Kosovë. E gjithë kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së një sistemi elektronik ku inspektorët do të mund të raportonin për secilën kompani dhe secilin kontroll që kryejnë. Një sistem të tillë elektronik AUV-i kishte filluar t’a aplikojë nga marsi i vitit 2019, mirëpo në mënyrë të kufizuar, që përfshinte vetëm regjionin e Prishtinës. Pra, në mungesë të një raportimi të tillë, nuk ka njohuri për gjendjen e kompanive në tërë vendin.

ZKA-ja ka ngritur dyshimet për moskontrollim të zinxhirit ushqimor, pasi nuk ka ndonjë listë të bizneseve që mundëson një verifikim të tillë. I gjithë ky proces, ishte vonuar për shkak se AUV-i nuk kishte marrë masa me kohë, dhe nuk dihet nëse të gjithë ofruesit e produkteve të mishit janë kontrolluar.

Tutje, nëpër komuna funksionojnë tregjet e kafshëve, por që ka të atilla që nuk janë të licencuara, thonë nga ZKA.

Edhe sipas zyrtarëve të AUV-it, tregjet e kafshëve në vend nuk i plotësojnë kriteret e parapara për tregje, dhe të njëjtat as nuk kontrollohen nga inspektorët e AUV-it e as nga ata komunal. Madje, në këto tregje bëhet edhe therja e pa kontrolluar e kafshëve dhe mos kontrolli i tyre nga inspektorët veterinarë rrit rrezikun e therjes/shitjes së mishit me sëmundje që mund të barten edhe tek njerëzit.

AUV-i përmes Ministrisë së Pushtetit Lokal kishte kërkuar që komunat të ndërmarrin veprime adekuate për legalizimin e tregjeve por deri më tani siç duket vetëm Komuna e Gjilanit ka filluar projektin për ndërtimin e tregut të kafshëve në pajtim me kriteret e parapara, ndërtimi i të cilit deri në korrik 2019 nuk kishte filluar.

Kontrolle të pjesshme edhe në pikat kufitare

Në rastin e mishit të ngrirë, sipas rregullave, mostra duhet të merret nga e tërë ngarkesa (kamioni) dhe në pjesë të ndryshme.

Ndërkohë, në disa pika inspektuese kufitare në rajonin e Prizrenit, ZKA-ja ka vërejtur se mostra për mishin e ngrirë merret vetëm në një paketim të mishit brenda ngarkesës (kamionit). E sipas inspektorëve, arsyeja për një veprim të tillë është për shkak të kushteve joadekuate për veprim.

“Zakonisht ngarkesat brenda kamionit janë në temperaturë prej -18⁰C ndërsa temperatura e jashtme mund të shkojë deri në +38⁰C. Gjithashtu, vonesa në kontrolle brenda kamionit rritë temperaturën, duke shkaktuar dëme materiale apo edhe rritjen e rrezikut për zhvillim të baktereve helmuese që mund të rrezikojnë shëndetin e konsumatorëve”, thuhet në këtë raport.

Sipas Auditorit, një gjë e tillë ka ndodhur për shkak të kostos së lartë financiare për të përgatitur lokacionin të përshtatshëm për kontrolle, ndonëse kontrollet e tilla do të rrisnin sigurinë për produktet e importuara.

Për më tepër, për të mbuluar konsumin e mishit, Kosova importon rreth 40,000 ton në vit apo mbi 80% e konsumit të përgjithshëm, përderisa vetëm rreth 20% mbulohet nga prodhimi vendor.

Ndryshe, në fillim të vitit 2019, edhe Zyra për Ushqim dhe Veterinari e Komisionit Evropian ka kryer një auditim lidhur me kontrollet që kryen Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV). Objektivë e këtij auditimi kishte qenë që të vlerësojnë nëse kontrollet zyrtare të AUV-it mbulojnë prodhimin e produkteve të shpendëve të destinuara për eksport në Bashkimin Evropian.

Gjetjet e këtij raporti ishin shqetësuese sa i përket mbikëqyrjes nga ana e AUV-it. Ndër gjetjet e këtij raporti është mos përputhja e listave kontrolluese me parimet e HACCP-të. HACCP është standard për kontroll të proceseve të prodhimit dhe distribuimit të produkteve ushqimore. Si rrjedhojë, AUV-i kishte marrë veprime duke hartuar një listë, e cila ishte në pajtim me parimet e HACCP-it.

“Mirëpo, nga dosjet e kontrolluara kemi vërejtur se ende nuk ka filluar të zbatohet. Gjithashtu, për listat kontrolluese që janë zbatuar deri më tani, në bazë të analizës së auditimit del që asnjë parim nuk është plotësuar në tërësi, tre prej tyre pjesërisht, kurse katër nuk janë të përfshira në lista kontrolluese fare”, thuhet në raportin e Auditorit, në të cilin citohet raporti i Komisionit Evropian. /Buletini Ekonomik/