Thaqi: Nëse bëhet tërheqja e 10%, shumica e kontributdhënësve marrin nga 31 euro

Berat Thaqi nga Instituti GAP vlerëson se Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike nuk është i vetmi element që i duhet Kosovës gjatë pandemisë.

Ai tha se edhe rishikimi i Buxhetit e marrëveshjet ndërkombëtare janë pjesë e masave ligjore që duhet të votohen në Kuvendin e Kosovës që të përfundojë plani për rishikimin e krizës me pandeminë COVID-19.

Ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, që t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare të cilat ende nuk janë votuar.

Reklama e sponzorizuar

“Të hyrat buxhetore do të bien gjatë këtij viti”, tha ai në Express Intervistën në KTV.

Çdo vonesë e mosvotimit të këtyre ligjeve, sipas Thaqit, shkakton vetëm dëme.

Për sa i përket tërheqjes së 10 përqindëshit nga TRUST-i, sipas Thaqit, shumica që kanë kontribuar do të marrin vetëm nga 31 euro.

“Gjatë analizës tonë (GAP-it), shumica që kanë kontribute në TRUST, në vlerën që mund të tërheqin është e vogël. Shumica e kontributdhënësve do të marrin vetëm nga 31 euro, si individ. Kjo për shkak se një pjesë e madhe ekonomisë së Kosovës funksionon në rrafshin formal. Por edhe për shkak të pagave të ulëta”, theksoi ai, duke shtuar se 10% është shifër shumë e vogël.

Thaçi tha se gjatë pandemisë, sektori i gastronomisë ka qenë më i godituri. Nga të dhënat e ATK-së, sipas tij, ka rënë për 30 për qind funksionimi i gastronomisë dhe shumë punëtorë kanë mbetur pa punë.

Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike, sipas Thaqit, është e nevojshme për të gjitha bizneset që janë goditur.