Në Gjakovë priten drunjtë e vjetër për të zgjeruar rrugën, Kusari-Lila e quan krim mjedisor

Krim mjedisor e ka cilësuar deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila prerjen e drunjve në rrugën kryesore të qytetit të Gjakovës. Ajo ka thënë se Gjakova të premten është zgjuar me pamjen e prerjes së drunjve të vjetër për “t’u zgjeruar rruga për më shumë makina”. Sipas saj, ky është krim edhe mbi të drejtat dhe liritë e njeriut.

“Drunjët 40 – 50 vjeçar u prenë në rrugën kryesore të qytetit “Nëna Terezë”, për të zgjeru rruga për më shumë makina, për të ngushtu trotuaret dhe për t’u vështirësu ecja e këmbësorëve. Ky jo vetëm që është krim mjedisor, është krim mbi të drejtat dhe liritë e njeriut, është krim mbi trashigiminë historike dhe urbane, krim mbi identitetin e qytetit dhe është krim pasojat e të cilit do të ndjehen edhe për shumë vite tjera”, ka thënë ish-kryetarja e Gjakovës.

Kusari-Lila ka thënë se “kjo është pamja e vërtetë e slloganit të zgjedhjeve qendrore nga partia në pushtet në Gjakovë, ‘Kosova 100%’ dhe sllogani i zgjedhjeve lokale ‘Tash Gjakova’”, drejtuar udhëheqjes së AAK-së në këtë komunë.

“Ndotje, mjerim dhe krim!”, ka përfunduar ajo.

Zgjerimi i kësaj rruge në qendër të qytetit ishte pritur me protesta nga partitë opozitare në maj kur kishin nisur punimet. Bizneset kishin dalë kundër, megjithatë kryetari i komunës, Ardian Gjini kishte bërë të ditur se punimet do të vazhdojnë.