FSSHK dorëzon në Qeveri peticionin e punëtorëve për shtesat prej 300 euro

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së sotme ka dorëzuar peticionin e punëtorëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës të realizuar nga data 14 shtator.

Përmes peticionit punëtorët shëndetësor dhe stafi mbështetës kanë shprehur revoltën e tyre për mos realizimin e Vendimit të Qeverisë për shtesën në pagë prej 300.00 euro për muajt Korrik dhe Gusht 2020, njofton Klan Kosova.

FSSHK ka thënë se peticioni është mjeti i fundit juridik i ndërmarrë nga ta dhe në rast se nuk merren seriozisht nënshkrimet e punëtorëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës, FSSHK nga e hëna do të dalë me veprime konkrete.

“Andaj në qoftë se nuk merren seriozisht nënshkrimet e punëtorëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës në drejtim të realizimit të kësaj të drejte, FSSHK nga e hëna do të del me veprime konkrete duke filluar nga dorëzimi i mjeteve transportuese të emergjencës, dorëzimi i mjeteve për pastrim nga ana e punëtorëve të higjienës, mos funksionimi i sistemeve teknike dhe sigurimi i objekteve shëndetësore, të gjitha këto bijnë në përgjegjësinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ngase ne e kemi konsumuar dialogun social” thuhet në njoftimin e FSSHK-së, transmeton Klan Kosova.