Nis procesi për “Autostradën e Paqes” Prishtinë – Nish

Korporata Financiare për Zhvillim Ndërkombëtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (DFC) ka nënshkruar letrat e interesit bashkë me Bankën për Eksport-Import (EXIM) për të nisur procedurat për ndërtimin e autostradës që pritet të lidhë Kosovën dhe Serbinë.

Nënshkrimi vjen pak ditë pas marrëveshjes për normalizim ekonomik që dy shtetet nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë në Washington. Në një njoftim zyrtar të DFC-së marrëveshja është cilësuar historike. Ky institucion e ka quajtur Autostradë të Paqes, rrugën që planifikohet të lidhë Prishtinën dhe Nishin.

Sipas njoftimit zyrtar, projekti që do të lidhë këto dy vende ka qenë pikë kyçe në bisedat për normalizim mes dy shteteve.

Reklama e sponzorizuar

“Autostrada e Paqes do të nxisë zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal duke lidhur Nishin me Prishtinën. Po ashtu do të shërbejë si simbol i fuqishëm i raporteve të reja, të transformuara mes dy shteteve fqinje”, ka thënë kreu i DFC-së, Adam Boehler.

“Autostrada e Paqes është hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit ekonomik mes Beogradit dhe Prishtinës dhe unë e vlerësoj punën e presidentit Trump dhe të gjithë administratës në këtë marrëveshje historike”, ka thënë Kimberly A.Reed, kryeshefe e EXIM-it. Ajo është shprehur se institucioni që udhëheq është i përkushtuar të përkrahë projektet që avancojnë zhvillimin ekonomik dhe punësimin në rajon.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka komentuar nënshkrimin e sotëm.

“Lajm i mirë drejt përmbushjes së marrëveshjes për normalizim ekonomik të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë. Projekti do të lidhë Nishin dhe Prishtinën”, ka shkruar ai në Twitter.

Sipas njoftimit, SHBA-ja planifikon të dërgojë delegacione në Kosovë dhe Serbi më vonë gjatë muajit për të avancuar punën në Autostradën e Paqes dhe projekte tjera. Është thënë se DFC-ja do të nisë punën edhe për hapjen e zyrës së saj të parë në rajon.

“Prezenca e përhershme e DFC-së në Beograd do të lehtësojë implementimin e projekteve prioritare sikur Autostrada e Paqes që do të përkrahë krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike në rajon”, thuhet në njoftim.

Letrat e nënshkruara sot s’janë obligative dhe do të pasohen nga mbikëqyrja e standardeve që do të kryhet nga të dy agjencitë para se të ketë zotim zyrtar për financim.