Bashkimi Evropian në kërkim të ribalancimit të marrëdhënieve tregtare me Kinën

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kinës që të heqë barrierat tregtare dhe të ribalancojë marrëdhënien e tyre ekonomike, pas një samiti virtual të mbajtur midis udhëheqësve evropian dhe presidentit kinez Xi Jinping.

Udhëheqësit evropianë gjithashtu ngritën shqetësime për çështjen e të drejtave të njeriut, por Pekini hodhi poshtë atë që e quan ndërhyrje në punët e tij të brendshme.

Videokonferenca ishte një alternativë më e vogël ndaj planit fillestar për të mbajtur një takim ballë për ballë midis 27 kryetarëve të shteteve të Bashkimit Evropian dhe presidentit kinez në qytetin gjerman të Lajpcigut.

Reklama e sponzorizuar

Pandemia COVID-19 detyroi organizatorët të ndryshonin planet për zhvillimin e takimit në Gjermani. Takimi virtual u ndoq nga presidenti kinez Xi, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, vendi i së cilës mban presidencën e radhës të Këshillit të BE-së.

Duke folur në një konferencë shtypi pas takimit, Michel përsëriti kërkesën që Kina të hapë tregjet e saj.

“Evropa duhet të jetë lojtare, jo një fushë loje. Takimi i sotëm përfaqëson një hap tjetër përpara në krijimin e një marrëdhënieje më të ekuilibruar me Kinën”, u tha Michel gazetarëve.

Von der Leyen ishte më e drejtpërdrejtë.

“Ne presim heqjen e barrierave të hyrjes në tregun e Kinës”, tha ajo.

Evropa ka shprehur zhgënjim për mungesën e qasjes në tregun e Kinës dhe konkurrencën e padrejtë me industritë e mbështetura nga shteti kinez.

“Brukseli e sheh marrëdhënien aktuale tregtare me Kinën si thellësisht të padrejtë, por nuk dëshiron një luftë tregtare. Realiteti është se BE-ja do të dëshironte të forconte marrëdhënien e saj ekonomike me Kinën me disa ndryshime. Unë mendoj se COVID-19 ka ndryshuar shumë gjëra në lidhje me marrëdhëniet (e BE-së) me Kinën. Shumë prej këtyre vendeve (evropiane) nuk e shohin Kinën si një partner tregtar plotësisht të besueshëm ose furnizues të besueshëm të mallrave thelbësore si furnizimet mjekësore. Pra, kjo do të duhet të ndryshojë. Por ata nuk duan një shkëputje të lidhjeve ekonomike me Kinën”, thotë analisti Steve Tsang, drejtor i Institutit SOAS të Kinës në Universitetin e Londrës.

Bisedimet tregtare u ndikuan nga kritikat në rritje në Evropë mbi shkeljet e të drejtave të njeriu në Kinë. BE ka kërkuar që Pekini t’i japë fund shtypjes së protestave pro-demokracisë në Hong Kong pas hyrjes në fuqi në fillim të këtij viti të të ashtuquajturit Ligj i Sigurisë Kombëtare, për të cilin kritikët thonë se i jep fund të drejtës për të protestuar dhe lirisë së fjalës.

Ligji lejon Partinë Komuniste të zgjerojë dukshëm pushtetin e saj dhe të forcojë kontrollin mbi qendrën financiare aziatike.

Evropa ka shprehur alarm lidhur me trajtimin nga Kina të popullatës myslimane të ujgurëve në provincën Xinjiang, ku grupet e të drejtave të njeriut thonë se miliona njerëz po arrestohen, dhe ka njoftime se ata mbahen në kampe të punës së detyruar dhe sterilizohen. Kina i ka mohuar këto akuza.

Duke folur në një konferencë shtypi pas takimit, kancelarja Merkel tha se Evropa do të vazhdojë t’i ngrejë këto çështje me Pekinin.

“Dialogu për të drejtat e njeriut do të vazhdojë. Presidenti kinez Xi Jinping) e ofroi këtë. Pra, tashmë ka pika kontakti për veprime të mëtejshme të përbashkëta. Por kjo nuk do të thotë se ka marrëveshje për këto çështje”, tha Merkel. /Zëri i Amerikës/