Njoftim me rëndësi nga ATK-ja për tatimpaguesit

Administrata Tatimore e Kosovës

Administrata Tatimore e Kosovës, njofton se nga data 01 qershor 2018 është publikuar versioni i ri i Sistemit Elektronik – EDI, i cili ofron edhe shërbimin – Menaxhimi i Rimbursimeve.

ATK-ja ka njoftuar se shërbimi i ri elektronik për Menaxhimin e Rimbursimeve është funksionalizuar në sistemin elektronik EDI, dhe është në dispozicion për tatimpaguesit, të cilët bëjnë kërkesë për Rimbursim, si: për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), Tatimin në të Ardhura Personale (TAP) dhe Tatimin në të Ardhura të Korporatave (TAK).

Përmes këtij shërbimi, tatimpaguesi mund të informohet se deri ku ka arritur të shqyrtohet nga ATK, kërkesa e tij për Rimbursim e dërguar më parë. Më konkretisht përmes shërbimit “Menaxhimi i Rimbrusimeve”, tatimpaguesi mund të informohet për:

Reklama e sponzorizuar

Datë e kërkesës për Rimbursim;

Vlerën e kërkuar;

Llojin e tatimit;

Statusin e shqyrtimit të kërkesës (Në pritje / Përfunduar / Refuzuar);

Kategorizimin e tatimpaguesit sipas Rregullores së brendshme të ATK-së, A; B apo C;

Datën e përfundimit, dhe

Vlerën e aprovuar.

Në funksion të ngritjes së efikasitetit dhe efektivitetit për zbatimin e dispozitave ligjore lidhur me rimbursimet, ATK ka themeluar Divizionin për Menaxhimin e Rimbursimeve. Ky Divizion menaxhon komplet procesin e rimbursimeve nga një qendër e vetme në Zyrën Qendrore të ATK, përmes Modulit të Rimbursimit. Përmes këtij Moduli, bazuar në kriteret e përcaktuara nga ATK, të gjitha kërkesat për rimbursim në mënyrë automatike nga vet sistemi, kategorizohen në tri kategori, si: A, B dhe C.

Divizioni i Rimbursimeve menaxhon direkt me kërkesat për rimbursime për tatimpaguesit e kategorizuar në A dhe B, ndërsa kërkesat për tatimpaguesit e kategorizuar në C delegohen nga Divizioni i Rimbursimeve në Drejtorit Rajonale për trajtim përmes procedurës së Kontrollit Tatimor.

Bazuar në Rregulloren e brendshme të ATK-së, për Procedurat e Rimbursimit, shqyrtimi i kërkesës për rimbursim, nga ATK, do të bëhet brenda tridhjetë (30) ditëve pas pranimit së kërkesës së tatimpaguesit.