Mbi 138 milionë euro për Kosovën nga Komisioni Evropian

Komisioni Evropian ka miratuar mbi 138 milionë euro si asistencë për Kosovën përmes programeve IPA 2019 dhe IPA 2020 për Kosovën dhe Marrëveshjet përkatëse të Financimit që janë nënshkruar nga të dy palët.

Në njoftim bëhet e ditur se nga kjo shumë 50 milionë euro janë ri-programuar për t’i trajtuar pasojat sociale dhe ekonomike të krizës nga COVID-19 në afat të shkurtër dhe të mesëm.

“Do të përkrahen sektorët vijues: Demokracia dhe Qeverisja (Përafrimi me BE), Sundimi i Ligjit dhe të Drejtat Themelore, Mjedisi, Veprimi Klimatik dhe Energjia, Konkurrenca, Inovacioni, Bujqësia dhe Zhvillimi Rural, Arsimi, Punësimi dhe Politikat Sociale. BE tani është në pritje të ratifikimit të këtyre marrëveshjeve nga institucionet e Kosovës në mënyrë që ta nisë zbatimin”, thuhet në njoftimin për media.

Reklama e sponzorizuar

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka mirëpritur nënshkrimin e programeve vjetore të veprimit IPA 2019, pjesa II dhe 2020 për Kosovën.

“BE-ja ka punuar shumë për ta ri-programuar një pjesë të madhe të asistencës sonë për t’i përmbushur nevojat e njerëzve në Kosovë që janë prekur nga COVID-19. Përkrahja jonë do ta forcojë mbrojtjen sociale, do t’i përkrahë bizneset e vogla dhe do të ndihmojë në stabilizimin e financave publike. Unë u bëj thirrje institucioneve të Kosovës që tani t’i ratifikojnë këto programe sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Szunyog.

Përmes këtyre programeve, Komisioni Evropian do t’i përkrahë bizneset fillestare dhe mikro-bizneset, krijimin e vendeve të punës dhe punësimin e të rinjve dhe grave, cilësinë e arsimit të lartë, mbrojtjen sociale dhe nevojat themelore të familjeve në varfëri ose pa të ardhura, dhe trashëgiminë kulturore dhe turizmin kulturor.

Ai tha se gjithashtu do ta përkrahë Kosovën në parandalimin e degradimit mjedisor të tokës dhe ajrit dhe ndikimin negativ në shëndetin e njeriut.