Policët paralajmërojnë protestë nëse nuk përfshihen në pakon emergjente

Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë së Kosovës ka paralajmëruar protestë në rast se nuk përfshihen në pakon emergjente.

Këshilli Drejtues ka thënë se në mbledhjen e mbajtur më 4 shtator është shqyrtuar situata e krijuar dhe vazhdimin e pakënaqësive të shumta të pjesëtarëve të policisë lidhur me mospërfshirjen në pakon emergjente, ku përfshihen tani mospagesa prej 300 eurove, mospagesa e orëve shtesë, mospagesa e shujtës dhe mospagesa e ndërrimit të natës sipas ligjit.

“Pasi që Sindikata e PK-së deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje zyrtare dhe veprim konkret drejt realizimit të kërkesave, nga Qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme, Sidikata e Policisë përmes takimit të fundit të mbajtur me 04.09.2020 me këshillin drejtues ka marrë vendim që: T’i rikujtojmë Qeverisë së Republikës së Kosovës se deri me datë 15.09.2020 t’i përmbushë kërkesat e cekura më lart të cilat janë shumë simbolike në krahasim me faktin se Policia janë duke punuar 12 orë pa pushime, duke tejkaluar të gjitha normat ligjore për punë, përfshirë punën jashtë orarit dhe pamundësinë e shfrytëzimit të pushimeve të plota; Duke marr parasysh kohën në të cilën po kalojmë në rrethana pandemie, Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë për momentin nuk insiston në këtë afat realizimin e kërkesave jetike siç janë: Sigurimi shëndetësor, Ligji për pensionim, Ligji i pagave etj, por kërkon që ato të realizohen në një kohë dhe rrethana më të përshtatshme nga Qeveria e RKS-së”, thuhet në njoftimin të Sindikatës. “Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë i bënë me dije Qeverisë së Kosovës që në rast se, deri me datë 15.09.2020, nuk i përmbush kërkesat simbolike të potencuara në pjesën e parë të kësaj komunikate, atëherë Këshilli Drejtues i Sindikatës së PK-së me datë 16.09.2020 , do të mblidhet në takim për të caktuar datën dhe modalitetin e veprimeve sindikale përfshirë protestën”.