Gastronomët: Po shkojmë drejt falimentimit

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se politika e ka lënë popullin në baltë.

Sipas tij, sektori i dytë në vend që punëson më së shumti kosovar, po përballet me falimentime dhe pasoja të pakthyeshme, transmeton Klan Kosova.

“Ndërkohë që sytë janë drejtuar tek mesazhet nga Uashingtoni, indiferenca e politikës para kolapsit të sektorit privat, që prej muajsh ka trokitur në pragun tonë, është shqetësuese. Gjendja në Kosovë, ku 59% e personave në moshë pune nuk janë aktivë ekonomikisht, shpejt do të rëndohet në mënyrë drastike nëse drejtuesit e shtetit nuk marrin masa të menjëhershme”, ka shkruar ai.

Reklama e sponzorizuar

“Në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, nga marsi 2019 deri në mars 2020, numri i të punësuarve ra nga 80 mijë në 43 mijë! Përgjysmim brenda një viti”.

“Gastronomët e Kosovës kanë hapur peticionin për heqjen e kufizimeve dëmtuese dhe alarmimin e politikës për krizën që na pret. Këtë javë do ta vizitojmë të gjithë Kosovën për të vazhduar me mbledhjen e nënshkrimeve, me shpresën se më në fund dikush do ta dëgjojë shqetësimin tonë dhe do ta kuptojë ç’po ndodh. Kemi vetëm 3 kërkesa thelbësore për të shmangur krizën kombëtare: 1. Të shfuqizohet kufizimi i lëvizjes për qytetarë dhe biznese. 2. Të krijohet një manual i saktë për gastronominë për punën brenda lokaleve në sezonin vjeshtë-dimër. 3. Të përgatitet një pako e veçantë për përkrahje të sektorit të gastronomisë, si sektori më i goditur nga pandemia”.

“Hapi i radhës do të jetë protesta demokratike”.