Nga java e ardhshme pritet të hiqen kufizimet për bizneset dhe të hapën sallat e dasmave

Oda Hoteliere dhe Turistike e Kosovës paralajmëron se nga java tjetër do të hiqen kufizimet për bizneset hoteliere dhe turistike.

Kështu ka thënë për Telegrafin, kryetari i OHTK-së, Hysen Sogojeva.

“Sipas informatave që kemi javën tjetër do të lirohen, sepse nuk kanë arsye më për shkak se numri i të infektuarve ka rënë. Ne i kemi dërguar një manual Qeverisë, dhe duke i’u përmbajtut ati manuali, nuk do të ketë ndikim për rritjen e numrit të rasteve.

Reklama e sponzorizuar

Pra, këta që janë jashtë tashmë të shërbehen brenda, sepse tash në kohë të ftohtë nuk mund të qëndrojnë jashtë. Është manuali sesi të funksionojnë në hapësirat e mbyllura, dhe sa do të jetë distanca. Duke marrë për bazë atë dhe rënien e numrit të rasteve, kemi informata se javën tjetër do të hiqen kufizimet, edhe do të lejohen edhe hapësirat e brendshme”, ka thënë Sogojeva.

Ai ka shtuar se njëherit nuk është më e arsyeshme që edhe sallat e dasmave të bllokohen.

“Njëherit nuk ka arsye që edhe sallat e dasmave mi blloku. Në bazë të 1 metër katrore hyjnë edhe njerëzit. Shembull nëse është 40 metra katrorë hyjnë 20 veta diku, nëse është 100 metra katrorë rritet numri i njerëzve., kemi salla të dasmave që janë me 500 ose 600 metra katror, dhe me 50 veta mund ta mbajë një aheng mirëpo çdo herë duke respektuar rregullat”, u shpreh Sogojeva për Telegrafin.

Kryetari i OHTK-së, më tej theksoi se me heqjen e kufizimit për hapësirat e mbyllura do të hiqet edhe kufizimi i orarit të shërbimit që është deri në orën 22:30, duke theksuar se kjo veprimtari nuk është burim i infektimit dhe nuk ka qenë asnjëherë.