A e dini se bankat nuk kanë të drejtë t’iu ngarkojnë tarifë për pagesat me POS?

Prej datës 1 shkurt 2020, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka nxjerrë rregulloren për “Instrumentet e Pagesave Elektronike”, me të cilën e ndalon aplikimin e tarifës nga ana e bankave për pagesat që kryhen përmes terminaleve POS. Ky shërbim kryhet kur klientët bankar kryejnë pagesa nëpër markete e dyqane me kartelë bankare.

Buletini Ekonomik ka pyetur në BQK se a po zbatohet kjo rregullore nga bankat komerciale në vend.

Sipas zëdhënësit të BQK-së, Kushtrim Ahmeti, “në kuadër të ekzaminimeve të rregullta të bankave, deri tani nuk është vërejtur ndonjë rast i mos zbatimit të kësaj rregulloreje”.

Reklama e sponzorizuar

Po ashtu, BQK deri më tani nuk ka pranuar asnjë ankesë nga ndonjë konsumator.

Ndryshe, në të kaluarën bankat kanë aplikuar tarifë edhe për këtë shërbim. Sipas një hulumtimi të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), bankat kanë aplikuar tarifë nga 1.3% deri në 2% për secilën pagesë me POS. /Buletini Ekonomik/