KUJDES: Çka duhet të përmbajë etiketa e një produkti, sipas Ligjit?

A ju ka rastisur ndonjëherë që në rafte të shihni mallra pa etiketën e cila duhet të përmbajë informacione për prodhuesin dhe adresën e tij, emërtimin e mallit, sasinë, përbërjen, datën e prodhimit?

Këto raste përbëjnë shkelje të rëndë të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve.

Në nenin 16 tëkëtij ligji specifikohet qartë se çka duhet të përmbajë etiketa e një produkti me rastin e daljes së tij në treg.

Reklama e sponzorizuar

1. Shitësi i mallrave dhe/apo shërbimeve duhet të sigurojë që mallrat apo shërbimet që shet të jenë të pajisura me etiketë, e cila përmban informacione për prodhuesin dhe adresën e tij, emërtimin e mallit, sasinë, përbërjen, cilësinë, datën e prodhimit, afatin dhe mënyrën e përdorimit, mirëmbajtjes si dhe rrezikshmërinë nëse ekziston.

2. Shitësi nuk ka të drejtë të heqë ose të ndryshojë etiketën e mallit/shërbimit apo informacionet e tjera lidhur me mallrat/shërbimet e dhëna nga prodhuesi dhe/ose furnizuesi.

3. Nëse natyra e mallit apo shërbimit nuk e lejon vendosjen e etiketës, shitësi është i detyruar të sigurojë, sipas kërkesës së konsumatorit, informacionin në përputhje me paragrafin 1 të këtij neni, në mënyrë tjetër apo edhe përmes paraqitjes së dokumenteve përkatëse.

4. Shitësi me rastin e vendosjes në treg të mallit detyrohet të vendos etiketën, në të gjitha mallrat e paketuara.

5. Për mallrat e pa-paketuara/refuz duhet të siguroj një udhëzues të përgatitur nga prodhuesi për mënyrën e përdorimit më të lehtë dhe më të sigurt, pastaj ti ofroj garancinë, udhëzime teknike, listën për serviset e autorizuara, një listë për paralajmërim nga rreziqet e mundshme gjatë përdorimit dhe një deklarate të konformitetit të mallrave

6. Etiketa duhet të jetë e shkruar qartë, dukshëm dhe e lexueshme në gjuhët zyrtare sipas ligjit në fuqi.

7. Përkthimi i të dhënave në gjuhët zyrtare sipas ligjit në fuqi, të vendosura në etiketë nga prodhuesi duhet të jetë identike me origjinalin.

8. Përveç kërkesave të përcaktuara në këtë nen dhe dispozitat e tjera të këtij ligji, shitësi detyrohet të tregoj origjinën e produktit edhe përmes vendosjes së një etikete që tregon flamurin e shtetit të origjinës së produktit. Flamuri duhet të vendoset afër çmimit të shitjes apo çmimit për njësi.

9. Përveç kërkesave të përcaktuara në paragrafin 1 të këtij neni, informacioni për etiketim mund të rregullohet me akte nënligjore. /Buletini Ekonomik/