Cilat do të jenë përfitimet ekonomike të Kosovës nga takimi në Shtëpinë e Bardhë?

Tashmë duket që gjithçka është bërë gati për takimin e Shtatorit, të delegacioneve nga Kosova dhe Serbia, në Shtëpi të Bardhë, shkruan Gazeta Blic.

Shumë detaje mbi këtë takim janë dhënë, përveç faktit se a do të marrë pjesë në të edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Është bërë e ditur gjithashtu, se fokusi kryesor i këtij takimi, do të jetë nënshkrimi i disa marrëveshjeve që kanë të bëjnë me çështje ekonomike, të të dyja vendeve: Kosovës dhe Serbisë.

Gazeta Blic, ka kontaktuar me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, për ta pyetur se çka pret ai nga takimi i Shtatorit, me theks të veçantë në rrafshin që ka të bëjë me ekonominë.

Në përgjigjen e tij, Rukiqi, ka thënë se pret që në këtë takim, fokusi kryesor të jetë në projekte të mëdha infrastrukturore, energjetike dhe në transport.

“Fokusi ka me qenë tek projektet e mëdha infrastrukturore, në energji, në transport, dhe kjo është ajo pjesa ku mund të përfitoj Kosova gjatë bisedimeve, poashtu me këto projkte të mëdha që e lidhin Kosovën me vendet e rajonit dhe lidhjet infrastrukturore me Serbinë – qoftë hekurudhat, rrugët. Pra, ky do të jetë i gjithë fokusi gjatë bisedimeve”, ka thënë Rukiqi për Gazeta Blic.
Rukiqi thekson se këto projekte, siç i ka quajtur ai të mëdha, do të jenë përfituese për shtetin e Kosovës, pasi që siç thotë ai: do e lidhë vendin tonë me vendet tjera të rajonit.

Se çështje kryesore e këtij takimi do të jetë marrëveshja eventuale për projekte ekonomike, e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë.

Sipas Këshilltarit të Lartë të Presidentit Trump, ai këtë donte ta bënte përmes zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të punës për të rinjtë.

”Kështu, të enjten, kur kemi diskutimet tona, do të vazhdojmë më tej ato tre marrëveshje dhe pastaj do të shtojmë një grup të tërë çështjesh në diskutimet që do të krijonin tregti, që do të krijonin zhvillim ekonomik dhe vende pune”.

Të dy delegacionet tashmë gjenden në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ditëve në vijim do të kenë takime të ndara me politikanë dhe zyrtarë të rëndësishëm amerikanë.

Delegacionit të Kosovës, është duke i prirë kryeministri Avdullah Hoti, teksa partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK e kanë bojkotuar këtë takim.

Në anën tjetër, delegacioni serb, është duke u kryesuar nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.