Pronari kryesor i laboratorit për PCR, në vitin 2017 përfaqësonte Devollin

Aksionari kryesor dhe drejtori i laboratorit Medical & Laboratory Services, Astrit Haxhiismajli, në vitin 2017 kishte përfaqësuar Devolli Group.

Laboratori Medical & Laboratory Services është i vetmi privat në Kosovë që po bën teste molekulare PCR për Sars-COV2.

Sipas të dhënave në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, Astrit Haxhiismajli, është aksionari kryesor dhe drejtor i laboratorit, ndërsa aksionar tjetër është ish-kryeshefi i Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Jeton Shala, i cili njëherit është edhe baxhanak i djalit të kreut të LDK-së, Isa Mustafa.

Sipas një dokumenti të komunës së Gjakovës i janarit të vitit 2017, Haxhiismajli, kishte aplikuar në emër të Devolli Group për kushte ndërtimi për park solar. Ai po ashtu kishte përfaqësuar edhe Energy Development Group SHPK për këtë lëndë.

Laboratori “Medical & Laboratory Services” që gjendet në Ulpianë në Prishtinë, u ka kërkuar qytetarëve nga 200 euro për test PCR, por që ka thënë se është rapid dhe se del rezultati pas vetëm 45 minutave. Vet laboratori ka thënë se testi Real Time PCR kushton 65 euro dhe se rezultati merret për 48 orë. Nga Ministria e Shëndetësisë po ashtu janë arsyetuar këto çmime.

Reklama e sponzorizuar

Qytetari Izet Berisha që ishte ankuar për çmimin 200 euro për testin PCR, ka thënë se nuk ka marrë rezultatin për 45 minuta, por për dy orë e gjysmë, duke e dokumentuar edhe me raportin e lëshuar nga laboratori.

Reagime ndaj çmimit ka pasur edhe nga KMDLNJ. /KOHA/