“Pastrimi” në Prishtinë paralajmëron borxhlinjtë: Nga 15 shtatori aktivizohen përmbaruesit

Të gjithë qytetarët të cilëve iu është akumuluar borxhi ndaj Kompanisë Regjionale “Pastrimi” në Prishtinë do të përfundojnë tek përmbaruesit privatë, nga data 15 shtator.

“KRM “Pastrimi”, Sh.A. njofton gjithë klientët se duke filluar nga data 15 shtator 2020 do të fillojë procedimin e klientëve borxhlinj në procedurë përmbarimore te përmbaruesit privatë (kjo vlen për konsumatorët me borxhe të akumuluara ndër vite)”.

Këtë gjë kompania “Pastrimi” e arsyeton duke thënë se është kompani publike me vetëfinancim, pra të hyrat e mjeteve financiare i siguron vetë, dhe mospagesa e faturave të mbeturinave vështirëson punën e tyre, sidomos gjatë periudhës se pandemisë.

Reklama e sponzorizuar

“Inicimi i kësaj procedure përmes përmbaruesve privatë do të krijonte shpenzime shtesë dhe do të vështirësonte përmbushjen e obligimit tuaj duke paguar taksën shtesë. Prandaj, publikisht u bëjmë thirrje gjithë qytetarëve qe të kryejnë obligimet e tyre duke bërë pagesat e faturave të mbeturinave, për t’i ikur procedurës përmbarimore qytetarët duhet te reflektojnë në kohë sa më të shpejtë në kryerjen e obligimeve te tyre të faturës së mbeturinave”, thuhet në njoftim.