Deficiti tregtar i Kosovës kalon mbi 3 miliardë euro – rritet për 4.5 për qind brenda një viti

Ekonomia e Kosovës gjatë dekadës së parë si shtet i pavarur është dominuar nga tregtia, duke blerë shumë mallra e duke prodhuar pak produkte.

Kosova gjatë vitit 2019 ka shënuar një deficit prej 3.1 miliardë euro apo 40 për qind të Produktin e Brendshëm Bruto. Pra, deficiti tregtar i mallrave për këtë vit u rrit për 4.5 për qind.

Totali i eksporteve në këtë vit ishte 383.4 milionë euro, ndërsa importi rreth 3.5 miliardë euro. Ku, eksporti mbulon importin për vetëm 11 për qind.

Reklama e sponzorizuar

Duke krahasuar të dhënat e eksporteve për mallrat vendor, gjatë vitit 2019 me atë të vitit 2018, shifrat tregojnë se ka një rritje vjetore për 4.4 për qind. Rritje kjo, e cila ka edhe më tutje bilancin negativ tregtar të Kosovës.

Në raportin e Agjencisë së Statistikave për tregtinë e jashtme, Kosova trend pozitiv të rritjes së eksporteve nga viti 2009-2019 kanë pasur ushqimet e përgatitura, pijet, pijet alkoolike dhe duhani, nga 9.3 milionë euro në 39.8 milionë euro, plastika, goma dhe artikuj prej tyre nga 6.3 milionë euro në 50.8 milionë euro, produktet e industrisë kimike nga 1.4 milionë euro në 8.1 milionë euro dhe artikujt e ndryshëm të prodhuar, nga 1.8 milionë euro në 20 milionë euro.

Qarkullimi i mallrave në tregtinë e jashtme | Burimi: ASK

Sipas vendeve të Bashkimit Evropian, eksportet e Kosovës gjatë vitit 2019 arritën në 138.5 milionë euro ose rreth 36.1 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 24.9 për qind.

Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë Gjermania më 8.1 për qind, Italia më 5.9 për qind, Holanda më 4.3 për qind dhe Britania e Madhe më 2.9 për qind.

Sipas kapitujve, pjesëmarrje më të lartë, vendet e BE-së kanë te plastika dhe artikujt prej saj më 25.4 milionë euro ose rreth 18.4 për qind, hekuri dhe çeliku me 19.4 milionë euro ose rreth 14 për qind, xeheroret, ngjyrërat dhe hiri me 13.7 milionë euro ose rreth 9.9 për qind.

Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 1.75 miliard euro ose 50 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 20 për qind.

Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga Gjermania më 12.8 për qind, Italia më 6.4 për qind, Greqia më 5.6 për qind, Sllovenia më 3.8 për qind dhe Bullgaria më 3.5 për qind.

Vendet e BE-së mbulojnë pjesën më të madhe të importeve të përgjithshme të Kosovës. Importet me pjesëmarrja më të lartë ishin te mjetet e transportit të ndryshëm më 281.6 milionë euro ose rreth 16.1 për qind, lëndët djegëse minerale dhe vajrat minerale, produktet e destinimit të tyre më 258.8 milionë euro ose rreth 14.8 për qind.

Gjatë vitit 2019, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 164.8 milionë Euro, ose 43.0% të eksporteve të përgjithshme, që kishte rënie prej (-5.0%). Partnerë kryesorë për eksport në vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (17.6%), Maqedonia e Veriut (11.5%), Serbia (7.1%), dhe Mali i Zi (5.1%).

Sipas kapitujve, pjesëmarrje më të lartë vendet e CEFTA-s kanë te këto grupe: artikujt prej hekuri dhe çeliku, ku arritën në 24.1 milionë Euro, ose rreth 14.6%; hekur dhe çelik, ku arritën në 22.1 milionë Euro, ose rreth 13.4%; pije, pije alkoolike dhe uthull, ku arritën në 21.3 milionë Euro, ose rreth (12.9%), etj.

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në vitin 2019, arritën në 502.7 milionë Euro, ose 14.4% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-41.1%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (6.9%), Shqipëria (6.4%), Mali i Zi (0.8%) dhe Serbia (0.2%).

Importet me pjesëmarrja më të lartë ishin te këta kapituj: hekur dhe çelik, ku arritën në 122.3 milionë Euro, ose rreth 24.3%; lëndë djegëse minerale, vajra minerale dhe produkte të destinimit të tyre, ku arritën në 72.5 milionë Euro, ose rreth 14.4%, etj.

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 80.1 milionë Euro, ose 20.9%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: India (8.6%), Zvicra (7.4%).

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 1 244.7 milionë Euro, ose 35.6%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (12.3%) dhe Kina (9.7%). /Telegrafi/