Cilat vende në Këshillin e BE-së e mbështesin liberalizimin e vizave?

Valeska Esch, zëvendësdrejtoreshë ekzekutive e Institutit gjerman Aspen, ka folur për liberalizmin e vizave për Kosovën.

Ajo ka thënë se tani për tani nuk është e qartë se cilat vende e përkrahin liberalizimin për Kosovën, pasi nuk ka pasur votim në Këshillin e BE’së.

Esch, në një intervistë për Radio Evropën e lirë, ka treguar se një kohë edhe Gjermania kishte hezituar për këtë çështje.

Reklama e sponzorizuar

“Mendoj se kjo është një pyetje për vendet përkatëse. Mendoj se në këtë moment nuk është e qartë kush e mbështet këtë proces dhe kush jo, sepse ende nuk ka pasur një votim në Këshill (Këshillin e BE-së). Gjermania ka hezituar për një kohë, por, me sa kam kuptuar ata kanë shkëmbyer një sërë shqetësimesh me Kosovën dhe shpresoj se edhe vendet tjera ta bëjnë të njëjtën, në mënyrë që Kosova përfundimisht të fitojë liberalizimin e vizave”, ka deklaruar ajo.

Megjithatë, zyrtarja gjermane shpreson që liberalizimi të ndodhë në vjeshtë, kur Komisioni Evropian do të lëshojë raportin e ri të progresit.

“Unë vërtet shpresoj që në vjeshtë, kur Komisioni Evropian të lëshojë raportin e ri të progresit, do të shohim edhe çështjen e liberalizimit të vizave. Por, natyrisht nuk e di nëse kjo çështje do të përfshihet. Sinqerisht, shpresoj që kjo do të ndodhë”, ka theksuar Valeska Esch.

Kundër liberalizimit të vizave, rezerva kanë shprehur edhe Holanda dhe Franca.