Bushati: Sinjal inkurajues nga Gjermania dhe Franca për dialogun Kosovë-Serbi

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, e ka vlerësuar inkurajuese letrën e përbashkët të ministrave të Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës, të cilët kërkuan rifillimin e menjëhershëm të dialogut Kosovë-Serbi, nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian.

Bushati thotë se për arritjen e një marrëveshje finale Prishtinë-Beograd është thelbësore që të ketë bashkëpunim transatlantik.

“Sinjale inkurajuese nga Heiko Mass dhe Jean Yves Le Drian në lidhje me rolin e BE-së në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Bashkëpunimi transatlantik është thelbësor për të arritur një zgjidhje përfundimtare, për të parandaluar liderët që shfrytëzojnë ndarjet transatlantike dhe imponimin e zgjidhje etnoctrike”, ka shkruar Bushati.

Reklama e sponzorizuar

Ministri francez, Jean-Yves Le Drian, dhe ai gjerman, Heiko Maas, kanë thënë se janë të vendosur që të zgjidhin të gjitha pengesat e mbetura mes Serbisë e Kosovës.

Në një shkrim të botuar ekskluzivisht në Kohën Ditore, ata kanë thënë se janë për një dialog të përgatitur mirë me parime dhe se kundërshtojnë një marrëveshje të shpejtë.

“Për këtë qëllim shtetet anëtare të BE-së emëruan një nga diplomatët më të aftë të Evropës, Miroslav Lajçak, si të dërguar special për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe për çështje të tjera rajonale. Franca dhe Gjermania janë të gatshme të mbështesin atë dhe ekipin e tij me të gjithë potencialin politik, diplomatik dhe ekonomik”, shkruan ndër tjera në letrën e tyre.