Policia gjen të hapura 8 qendra masazhi, merr masa ndaj 35 personave

Policia e Kosovës ka gjetur të hapura tetë lokale që ofrojnë shërbime për masazh, e të cilat funksiononin përkundër ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë në kohë pandemie. Sipas një njoftimi nga Policia, operacioni policor u zhvillua në Prishtinë, Ferizaj e Prizren të mërkurën në mbrëmje.

Policia ka njoftuar se në këto tri qytete ka gjetur 35 persona, ndaj të cilëve ka marrë masa.

Bazuar në urdhëresat e prokurorive kompetente në Prishtinë janë kontrolluar 14 lokacione. Prej tyre gjashtë kanë qenë të hapura, e ku janë takuar 23 persona, ndaj të cilëve janë marrë masat e nevojshme ligjore, ka bërë të ditur Policia.

Reklama e sponzorizuar

Në Ferizaj janë kontrolluar tri lokacione, që ishin të mbyllura, përderisa është kontrolluar ehe një restorant, ku s’është vënë re ndonjë dyshim.

Në Prizren dy nga katër lokacionet e kontrolluara ishin të hapura. Aty janë gjetur 12 persona.