WIZZ AIR DO TË NISË FLUTURIME TË REJA NGA PRISHTINA

Lajm i mirë për të gjithë udhëtarët nga Kosova. Aviokompania me kosto të ulët Wizz Air do të zgjerojë veprimtarinë e saj nga Prishtina me futjen e tri fluturimeve të reja këtë sezon të dimrit. Linja ajrore do të shtojë tri fluturime javore nga Memmingen duke filluar nga 30 tetori, nga Baseli më 20 nëntor, dhe nga Dortmund më 15 dhjetor. Të tri fluturimet do të mbahen të martën, të enjten dhe të shtunën me avionë Airbus A320.Shërbimet e reja do të plotësojnë fluturimet ekzistuese të Wizz Air, lidhjet nga Prishtina në Budapest dhe Londër Luton. Në një deklaratë, Wizz Air tha: “Wizz vazhdon të rritet në të gjithë Evropën dhe më gjerë, duke stimuluar trafikun me çmimet më të ulta dhe duke fituar besimin dhe besnikërinë e klientëve të saj, të cilët gëzojnë përvojën e madhe të udhëtimit lirë dhe mirë. Wizz Air është një kontribues i rëndësishëm në rritjen e ekonomive lokale në komunitetet në të cilat operon dhe do të vazhdojë të stimulojë tregun e punës në shërbimet mbështetëse të aviacionit, si dhe në industritë lokale të turizmit dhe mikpritjes.” /Buletini Ekonomik