Muhamet Mustafa: Qeverisja ekonomike dhe makroekonomike në Kosovë, nuk kanë pasur filozofi të duhur zhvillimi

“Përpos në infrastrukturë, Kosova ka pasur nevojë për më shumë investime, po ashtu edhe të bëjë një lloj ri-industrializimi për ta krijuar ofertën vendore dhe njëkohësisht për të krijuar më shumë vende pune. Përgjatë tërë periudhës thuaja 20 vjeçare, kemi dështuar të tërheqim më shumë investime në sektorin privat. Pra, kemi investuar më pak se sa është dashur për rreth 7%-10% të GDP-së.”

(Intervistë e Muhamet Mustafës, njohës i mirë i zhvillimeve ekonomike të vendit, themelues e këshilltar Senior në Institutin Riinvest)

Mehmet GJATA

Reklama e sponzorizuar

Kosova ka dështuar me modelin e zhvillimit ekonomik, apo të rritjes ekonomike, e cila është bazuar në faktorët ekstern – asistencë financiare nga jashtë, remitanca e të tjera, për ta servisuar konsumin dhe jo në modelin që rritë ofertën vendore, vlerëson Muhamet Mustafa. Ai thotë se si vend kemi dështuar edhe në vendosjen e një sistemi të konkurrencës fer, ngase shpesh importet ka ndodhur të kenë një pozitë më të favorshme në tregun vendor se sa prodhuesit vendor.

“Funksionimi i gjyqësorit në fushën komerciale gjithashtu ka qenë shumë problemtik. Zgjidhja e konteksteve biznesore zgjatë shumë, me shumë se 4 e 5 vjet dhe kjo tremb investitorët. Edhe toleranca ndaj korrupsionit, sidomos e forcave politike, por edhe ev gjyqësorit e deri diku edhe e opinionit e sidomos komunitetit të biznesit, gjithashtu ka ndikuar negativisht në vëllimin e investimeve”, thotë në intervistën për Buletinin Ekonomik, Muhamet Mustafa, njohës i mirë i zhvillimeve ekonomike të vendit dhe themelues e këshilltar Senior në Institutin Riinvest.

Ndërsa, shkaqet, sipas profesor Mustafës, duhet kërkuar në disa rrafshe. Së pari tek qeverisja ekonomike, më saktë ajo makroekonomike, që thotë se nuk ka pasur një filozofi të duhur zhvillimi, përpos një vizioni rreth infrastrukturës rrugore, kurse në sektorët e tjerë, ka qenë thuaja pa koncept e plan dhe e përcjellur me veprime add- hoc, e përqëndruar vetëm tek një stabilitet fiskal brenda kornizave të monitoruara rreptë nga FMN-ja.

“Thuaja të gjitha kabinetet qeveritare, deri kah viti 2015, çështjet e reformës dhe politikave ekonomike ua kishin lënë organizatave e institucioneve ndërkombëtare, që jo gjithëherë ishin të thelluara në matriksin ekonomik dhe social të Kosovës. Një problem ndoshta edhe më i madh ka qenë paaftësia e klasës politike për t’u ngritur mbi interesat grupore e partiake dhe për të krijuar një konsensus për interesat strategjike lidhur me zhvillimin ekonomik. Lufta primitive partiake e ka zhvendosur vëmendjen nga çështjet e zhvillimit ekonomik dhe ka servisuar një antagonizëm brutal midis forcave politike”, thotë Muhamet Mustafa në intervistën e gjatë për Buletinin Ekonomik.

Sipas tij, shkakun duhet kërkuar edhe tek munegsa e llogaridhënies në rend të parë të kabineteve qeveritare, e pastaj edhe bordeve dhe ekipeve menaxheriale në sektorët e ndryshëm ekonomik.

Sipas profesor Mustafës, pasojat më të mëdha nga e gjithë kjo, janë tek rënia e optimizmit sidomos tek të rinjtë dhe orientimin e tyre për të migruar jashtë vendit. Për shkak të këtyre trendeve, Kosova ka rrezik ta humb një nga përparësitë krysore krahasimore për zhvillim – popullsinë e re.

“Frigohem se me regjistrimin e ri të popullatës do të dalim të dëshpruar kur të shohim këto rrjedha demografike te sforcuara nga faktorët negativë që i diskutuam” ka thënë në vazhdim ai.

Por, a ka gjasa dhe mundësi për të përmirësuar trendet e zhvillimit?

“Po, sigurisht. Dobësitë për të cilat folëm nuk janë të paevitueshme. Gjithashtu ne duhet të shkojmë kah modelet e sprovuara që kanë dhënë rezultate në vende të ndryshme dhe t’u ikim eksperimenteve që mund të marrin shumë kohë dhe energji dhe të japin pak rezultate”, vë në dukje ai.

Mustafa thotë se Qeveria aktuale duhet të lehtsojë zhvillimin e biznesit duke vazhduar me luftimin e korrupsionit dhe zbatimin e ligjit dhe duke promovuar konkurrencën e barabartë, me një përkrahje të biznesve vendore me masa indirekte që ta përballojnë konkurrencën e jashtme dhe të vazhdojë me rritjen e eksportit. Kësisoji, mund të rriten vendet e reja të punës dhe pagat, si dhe të zbutet tendenca për migrim.

“Do të jetë shumë me rëndësi që të mbahet rritja ekonomike 6-7% për disa vite të ardhshme dhe për këtë nevojiten që të nxiten investimet e sektorit privat dhe investimet e jashtme direkte, si dhe që investimet publike në fakt të jenë lehtësuese dhe komplementare me këtë. Po theksoj edhe njëherë që duhet qëndruar tek modelet e rritjes së ofertës konkurruese vendore, shtetit jo të shtrenjtë, inkuadrim me kohë në Agjendën e gjelbër, transformim digjital dhe shtet ligjor. Eshtë e nevojshme të avansohet edhe qeverisja makroekonomike ne bazë të analizave dhe evidencave të bazuara në ekspertizë”, tha në këtë intervistë themeluesi i Riinvest-it.

Intervistën e plotë të profesor Muhamet Mustafës, dhënë për Buletinin Ekonomik, mund ta lexoni në vijim:

Buletini Ekonomik: Pse gjithë këto dështime në proceset ekonomike në këto 20 e sa vjet pas luftës? Janë evidente ngecjet në të gjitha fushat që kanë të bëjnë me zhvillimet ekonomike, ka ngecje në përmasa krize në elektroenergjetikë, ka ngecje në investime kapitale, e po ashtu edhe në investimet e huaja. Procesi i privatizimit u zhvillua si është më së keqi. Pse ka ndodhur kështu, dhe ku janë shkaqet për këto huqje, sipas jush?

Muhamet Mustafa: Keni të drejtë me pakënaqësinë që sugjeron pyetja juaj! Të gjithë, përpos pak ndërkombëtarëve kemi qenë më optimistë lidhur me pritjet për ritmin dhe cilësinë e zhvillimit ekonomik. Shkaqet duhet kërkuar në disa rrafshe. Së pari qeverisja ekonomike, më saktë ajo makroekonomike, nuk ka pasur një filozofi të duhur zhvillimi, përpos një vizioni rreth infrastrukturës rrugore, në sektorët e tjerë, ka qenë thuaja pa koncept e plan, si dhe e përcjellur me veprime add- hoc, e përqëndruar vetëm tek një stabilitet fiskal brenda kornizave të monitoruara rreptë nga FMN. Thuaja të gjitha kabinetet qeveritare, deri kah viti 2015, çështjet e reformës dhe politikave ekonomike ua kishin lënë organizatave e institucioneve ndërkombëtare, që jo gjithëherë ishin të thelluar në matriksin ekonomik dhe social të Kosovës. Një problem ndoshta edhe më i madh ka qenë paaftësia e klasës politike për t’u ngritur mbi interesat grupore e partiake dhe për të krijuar një konsensus për interesat strategjike lidhur me zhvillimin ekonomik. Lufta primitive partiake e ka zhvendosur vëmendjen nga çështjet e zhvillimit ekonomik dhe ka servisuar një antagonizëm brutal midis forcave politike. Shkakun duhet kërkuar edhe tek munegsa e llogaridhënies në rend të parë të kabineteve qeveritare, e pastaj edhe bordeve dhe ekipeve menaxheriale në sektorët e ndryshëm ekonomik.

Buletini Ekonomik: Sipas jush, ku dështuam më shumë në zhvillimet ekonomike në këto vite, dhe pse ndodhi kjo?

Muhamet Mustafa: Kosova ka pasur nevojë për investime, përpos në infrastrukturë, po ashtu edhe të krijojë një lloj ri-industrializimi për ta krijuar ofertën vendore dhe njëkohësisht për të krijuar më shumë vende pune. Përgjatë tërë periudhës për të cilën po flasim, ne kemi dështuar të tërheqim më shumë investime ne sektorin privat. Pra, kemi investuar më pak se sa është dashur për rreth 7%-10% të GDP-së. Mirëpo, deri tek pakot fiskale 1 dhe 2 gjithçka ka qenë kundër investimeve – politikat fiskale dhe të tjerat, i kanë bërë investimet në sektorin industrial dhe shërbyes shumë të shtrenjta (pagesa e doganës dhe TVSH-ja në kufi edhe për investime në paisje), një absurd në vete për një vend me normë papunësie mbi 30%.

Instituti Riinvest me vite ka avokuar dhe insistuar për ndryshimin e këtyre politikave, por ato kanë ngelur të tilla dhe i kanë bërë dëmet e mëdha deri në vitin 2016 e 2017. Ky është vetëm një ilustrim, por ka edhe të tjerë. Po e shihni se pas atyre masave nga Pakoja Fiskale 1 dhe Pakoja Fiskale 2,  sektori privat i industrisë përpunese ka filluar ta rrisë aftësinë e tij konkurruese dhe eksportin. Pra, ne kemi dështuar me modelin e  zhvillimit ekonomik, apo të rritjes ekonomike e cila është bazuar në faktorët ekstern – asistencë financiare nga jashtë, remitanca e të tjera, për ta servisuar konsumin dhe jo në modelin që rritë ofertën vendore. Kemi dështuar edhe në vendosjen  e një sistemi të konkurrencës fer, ngase shpesh importet ka ndodhur të kenë një pozitë më të favorshme ne tregun vendor se sa prodhuesit vendor. Funksionimi i gjyqësorit në fushën komerciale gjithashtu ka qenë shumë problemtik. Zgjidhja e konteksteve biznesore zgjatë shumë, më shumë se 4 e 5 vjet dhe kjo i trembë inevstitorët. Toleranca ndaj korrupsionit, sidomos e forcave politike, por edhe e gjyqësorit e deri diku edhe e opinionit, e sidomos ajo e komunitetit të biznesit, gjithashtu ka ndikuar negativisht në vëllimin e investimeve.

Buletini Ekonomik: Në këtë kontekst, cilat janë pasojat më të mëdha nga këto dështime dhe a ka gjasë që të futemi qoftë edhe ndonjëherë, pra në perudhë më të gjatë në trendet e ekonomisë rajonale dhe globale?

Muhamet Mustafa: Pasojat më të mëdha nga e gjithë kjo, janë tek rënia e optimizmit sidomos tek të rinjtë dhe orientimin e tyre për të migruar jashtë vendit. Për shkak të këtyre trendeve, Kosova ka rrezik ta humb një nga përparësitë krysore krahasimore për zhvillim – popullsinë e re. Frigohem se me regjisrimin e ri të popullatës do të dalim të dëshpëruar kur të shohim këto rrjedha demografike te sforcuara nga faktorët negativë që i diskutuam. A ka gjasa dhe mundësi për të përmirësuar trendet e zhvillimit? Po, sigurisht. Dobësitë për të cilat folëm, nuk janë të paevitueshme. Gjithashtu ne duhet të shkojmë kah modelet e sprovuara që kanë dhënë rezultate në vende të ndryshme dhe t’u ikim eksperimenteve që mund të marrin shumë kohë dhe energji dhe të japin pak rezultate.

Buletini Ekonomik: Ku qëndrojnë shkaqet, sipas jush, që nuk e ndërtuam një kapacitet të pranueshëm elektroenergjetik? Politika inatçore dhe dritëshkurtër e liderëve dhe vendimmarrësve të deritashëm, apo indolenca dhe shterpësia për ide e ekspertëve dhe intelektualëve kosovarë për të parashikuar ecuritë energjetike në botë?

Muhamet Mustafa: Janë të njëjtat shkaqe për të cilat folëm. Nuk është arritur një konsensus për strategjinë e zhvillimit të energjisë, me përjashtim te Strategjisë për zhvillim të energjisë së aprovuar në Kuvendin e Kosovës në tetor të vitit 2005. Edhe atëherë ishte nje presion nga mungesa e  energjisë, e përcjellur me ndërprerje të shpeshta të furnizimit. Të ftuar nga ministri i atëhershëm, E. Çeku, mbi bazë të studimeve që ishin bërë deri atëherë, Instituti Riinvest duke u konsultuar edhe me gjithë akterët dhe ekspertët vendor, hartoi draftin e Strategjisë së Zhvillimit të Energjisë 2005-2015. Ajo parashihte një kapacitet të ri 500-1000 MË dhe rivitalizim të dy  apo tri blloqeve të Kosovës A. Kjo u apovua thuaja njëzëri në tetor të vitit 2005 në Kuvendin e Kosovës. Mirëpo, si duket nën ndikimin e lobeve të caktura, pas 4 apo 5 muajve u hoq dorë nga ky koncept dhe filloi ëe promovohet Kosova C me 2100 MË, që ishte një projekt i pa studiuar mirë dhe me ndikime negative potenciale në shumë rrafshe, ndaj edhe u kundërshtua nga shumë anë. Konsensusi u prish, dhe sot e kësaj dite, ai mungon. E dihet se zhvillimi i energjisë nuk është çështje e një Qeverie dhe një mandati. Është dëm sepse Kosova sot do të ishte eksportuese e energjisë, ne vend që po mundohet të mbijetojë me kaq shumë telashe.

Buletini Ekonomik: Tani, thuajse është bërë vonë për të ndërtuar një TC në bazë të qymyrit, reduktimet ambientaliste dhe për pasojë edhe financiare nga bota dhe taksat e pritshme për djegje të thëngjillit, e bëjnë të papërballueshme ndërtimin e një kapaciteti në bazë të thëngjillit në epokën e dekarbonizimit të botës. Në këtë kontekst, cila alternativë i ka mbetur Kosovës si zgjidhje e krizave të shpeshta energjetike?

Muhamet Mustafa: Frigohem se zgjedhjet janë të vështira dhe alternativat të pakta në këtë moment. Tranzicioni energjetik na ka gjetur shumë të papërgatitur. Mendoj se në vend të përpjekjeve për të mbajtur gjallë arificialisht edhe për një kohë disa blloqe të termocentralit të Kosovës A, e që në aspektin financiar dhe mjedisor është shumë problematike, ndoshta me mirë është të investojmë në rivitalizim të thellë të dy blloqeve më të përshtatshëm të këtij termocentrali, që do të përdoreshin në 15-20 vjetët e ardhshme, në mënyrë që të bëhet një strategji e tranzcionit më të lehtë energjetik. Për këtë duhet kërkuar edhe mbështetjen e partnerëve, por gjithashtu edhe duhet parë efektet e kostot financiare, ekonomike dhe sociale. Në të njëjtën kohë duhet të përcjellim se cilat janë gjasat e valorizimit ekonomik të qymyrit si një resurs kaq i madh i Kosovës, në kushtet e reja dhe zhvillimet potenciale teknologjike. Gjithashtu ne jemi tanimë një bllok unik i operatorëve të sistemit energjetik me Shqipërinë dhe domsodo duhet bërë edhe një harmonizim të strategjive të zhvillimit, e të cilat fatmirësisht kanë shumë elemente komplementare.

Buletini Ekonomik: Pse ngurrohet edhe më tutje kaq shumë te ndërmarrja e iniciativave për të investuar në kapacitetet e mundshme të energjisë së rinovueshme?

Muhamet Mustafa: Besoj se tashmë kjo do të tejkalohet, por kemi pësuar dëme nga ky ngurrim këto dhjetë vitet e fundit.

Buletini Ekonomik: Po, sektorin minerar, pse e lamë kaq shumë pasdore? Nga sa e sa miniera, sot në Kosovë janë pak a shumë aktive vetëm Miniera e Stantërgut, ajo e Artanës dhe dy minierat e plumb-zinkut, që gjenden fare në veri të vendit, ajo e Cërnacit dhe e Bellobërdës. Të tjerat, ka 20 vjet që janë nën dry dhe të përmbytura nga ujërat. Tre-katër minierat e Kishnicës, praktikisht kanë mbetur nën ujë për shkak të mungesës së një pompe të nevojshme për pompimin e ujit me kosto jo edhe aq të lartë për të siguruar atë. Si e komentoni ju, këtë plogështi dhe mosinteresim kaq eklatant për të shfrytëzuar resurset tona të njohura për zhvillimin ekonomik të vendit?

Muhamet Mustafa: Ky është pothuajse një sektor i vdekur ose gjysmë i vdekur. Eshtë e dhimbshme se si është trajtuar Trepça. Edhe gjashtë vite pas aprovimit të një ligji modern që zgjidhë problemet sistemore dhe ato të pronës, si dhe ofron zgjidhje për zhvillimin e një korporate moderne, thuaja se nuk është bërë ndonjë hap për t’u përmendur. Prodhimi i xehes vetëm deri në koncentrat dhe shitja e saj nuk është zgjidhje, është kthim mbrapa. Pra, nevojiten shumë faktorë e më së shumti një qeverisje e përgjegjshme dhe ekspertizë që është në gjendje të gjenerojë investime për zhvillim.

Buletini Ekonomik: Pse nuk kemi investime të huaja, ndërkohë që në këto vite në të gjitha vendet fqinje me ne, ato thuaja po lulëzojnë?

Muhamet Mustafa: U fol më lartë se për shumë vite, investimet në Kosovë ishin të shtrenjta dhe kur kësaj i shtojmë edhe probelemt politike, problemet me zbatimin e ligjit, efikasitetin e gjykatave, nivelin e korrupsionit dhe mendoj se këto janë shkaqet kryesore.

Buletini Ekonomik: Ku janë fajet dhe shkaqet që i dëbuam, praktikisht i ndoqëm investitorët e huaj në këto vite?

Muhamet Mustafa: Ka pasur raste edhe kur janë dëbuar investitorët e jashtëm – shkaqet u diskutuan më lartë, e fajtorët janë pushteti qendror dhe lokal, si dhe sistemi i gjyqësorit.

Buletini Ekonomik: Pse nuk po dijmë ta shfrytëzojmë sa dhe si duhet as paranë e mërgatës sonë, që po e sjellë këtu goxha me shumicë dhe në vazhdimësi? Vjet, sipas guvernatorit të BQK-së, mërgimtarët tanë sollën 1,5 miliardë euro në vendlindje. Por efektet, pos në mirëqenien familjare, nuk po duken, ndërkohë që 1,5 miliardë euro është para shumë e madhe?

Muhamet Mustafa: Sigurisht, efeketet janë shumë të rëndësishme në servisimin e konsumit, si dhe në invetsime në patundshmëri. Por, kur investon në patundshmëri dhe blerje të banesave, kjo ka ndikimin e vet në sektorin e ndërtimtarisë, mobiljeve, materialeve ndërtimore e të ngjashme. Është e vërtetë se nuk ka shumë investime në sektorët industrialë dhe shërbyes, me vlerë të lartë shtuese. Megjithatë, tani edhe pjesëtarët e diasporës sonë kanë bërë biznese në tregti, gastronomi, ndërtimtari e sektorë të tjerë, dhe ka shembuj se ata po promovojnë eksportin e produkteve tona. Pra, krijimi i partneriteteve në këtë plan mund të gjenerojë edhe iniciativa më serioze. Dhe këto inciativa duhet pritur në të ardhmen. Esenciale është se këta investitorë nga diaspora t’i trajtojmë si investitorë dhe jo si njerëz që vijnë këtu vetëm për qëllime altruiste. Besoj se duhet pritur zhvillime të mira në këtë plan.

Buletini Ekonomik: Profesor, çka mendoni se duhet bërë sa më shpejtë nga ana e kompetentëve, zyrtarëve vendimmarrës për të lëvizur sado pak rrjedhat ekonomike edhe te ne? Cilat kahe, apo veprime konkrete, sipas jush, do të duhej të ndërmerrnin më urgjentisht qeveria aktuale në drejtimin e zhvillimeve ekonomike?

Muhamet Mustafa: Mendoj se Qeveria aktuale duhet të lehtësojë zhvillimin e biznesit duke vazhduar me luftimin e korrupsionit dhe zbatimin e ligjit dhe duke promovuar konkurrencën e barabartë, me një përkrahje të bizneseve vendore me masa indirekte që ta përballojnë konkurrencën e jashtme dhe të vazhdojnë me rritjen e eksportit. Kësisoji mund të rriten vendet reja të punës e pagat, si dhe të zbutet tendenca për migrim. Do të jetë shumë me rëndësi që të mbahet rritja ekonomike 6-7% për disa vite të ardhshme dhe për këtë nevojiten që të nxiten investimet e sektorit privat dhe investimet e jashtme direkte, si dhe që investimet publike në fakt të jenë lehtësuese dhe komplementare me këtë. Po theksoj edhe njëherë që duhet qëndruar tek modelet e rritjes së ofertës konkurruese vendore, shtetit jo të shtrenjtë, inkuadrim me kohë në Agjendën e gjelbër, transformim digjital dhe shtet ligjor. Eshtë e nevojshme të avancohet edhe qeverisja makroekonomike në bazë të analizave dhe evidencave të bazuara në ekspertizë. Zhvillimet e deritashme në vendet e tjera dhe në vendin tonë japin mësime të vlefshme për t’u ndjekur, pa pasur shumë nevojë për eksperimentime. /Buletini Ekonomik/