Kurti: Konsumi është shumë i lartë, dikush duhet ta paguajë energjinë e importuar

Fotografi ilustruese

Kryeministri Kurti në një konferencë për media sot, rreth rritjes së mundshme të tarifave të energjisë nga ZRRE-ja, ka thënë se vetëm dje konsumi ka qenë më shumë se 1.3 gigavat përkthyer në import, dhe se vetëm dje Kosova ka importuar rreth 2.3 milionë euro rrymë dhe këtë import sipas tij, ‘dikush duhet ta paguajë’.

Kurti theksoi se ngritja e tarifave dhe ngritja e subvencioneve ngelen si të vetmet mënyra që mund të përballemi me këtë krizë, dhe se për rritjen e tarifave, ata si Qeveri do t’i dërgojnë edhe komentet e tyre në raportin konsultativ të publikuar nga ZRRE.

“Në ditën e djeshme në ora 23:00 ka qenë konsumi maksimal prej 1318 megavat, konsumi minimal ka qenë në ora 5 të mëngjesit 830 megavat ndërkaq i gjithë prodhimi ynë është 727 megavat. Pra këtë diferencë dikush duhet ta paguajë, nuk mund të konsumojmë 1318 e të prodhojmë 727 ose duhet të bëjmë shkyqje ose duhet të kalojmë tek rritja e tarifave. Është dallim shumë i madh prej konsumit dhe prodhimit. Dje në bursë, çmimi bazik ka qenë 237.5 euro për megavat orë ndërkaq çmimi maksimal 265.12 euro për megavat orë. Në ditën e djeshme kemi blerë 2.3 milionë euro energji elektrike ose më shumë se 9 gigavat orë të importuar, dhe dikush duhet ta paguajë këtë”, ka thënë Kurti.

Reklama e sponzorizuar

Kurti po ashtu, tregoi se reduktimet e bëra në muajin dhjetor të vitit të kaluar, si pasojë e krizës energjetike, sollën shumë dëme.

“Energjia e importuar me çmim shumë të lartë është konsumuar dhe dikush duhet ta paguajë dhe janë tri mënyra se si mund të bëhet financimi është rritja e tarifave, rritja e subvencionit apo reduktimet e ashpra të energjisë. Ne e pamë se sa të dëmshme janë  reduktimet e energjisë për amvisëritë dhe bizneset”, përfundoi ai. /Buletini Ekonomik/