Gjashtë muajt e vitit në të cilët konsumi i rrymës shkon mbi 600 KWh

Në gjashtë muaj të vitit, tendenca për shpenzim enorm të energjisë elektrike nga konsumatorët është shumë e lartë. Kjo ndodh kryesisht për arsyen se gjatë sezonës së dimrit, qytetarët në mungesë të një zgjidhjeje për ngrohje, e shfrytëzojnë në masë të madhe energjinë elektrike.

Sipas të dhënave të publikuara në uebsajtin e KEDS-it, del se familjet në Kosovë në gjashtë muaj të vitit, kanë tendencë të shpenzojnë rrymë mbi pragun e 600KWh.

Në bazë të tarifave të reja për energjinë, të propozuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE), rritja më e madhe e çmimit do të jetë pikërisht për këtë kategori konsumatorësh, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Bazuar në grafikën e KEDS-it, mesatarja e Kosovës shpenzojnë më shumë se 600 kilovatë rrymë gjatë muajit së paku gjatë gjysmës së vitit, përkatësisht duke përfshirë periudhën prej muajit nëntor deri në muajin prill.

Sipas kalkulimeve, secila familje që e përdorë energjinë elektrike për ngrohje gjatë dimrit, ashtu-kështu e kalon 600 kilovatëshin brenda muajit, edhe nëse mundohet të kursejë maksimalisht.

Ndërkohë, në pjesën tjetër të vitit, pra gjatë muajve maj deri në muajin tetor, konsumi i energjisë brenda muajit bie nën 600 si mesatare e madje edhe deri në 400 kilovat për orë.

Ndryshe, nëse tarifat e propozuara nga ZRRE-ja miratohen, të njëjtat do të fillojnë të aplikohen që nga 1 shkurti i këtij viti. Ndërsa, afati për dërgimin e komenteve dhe qëndrimeve të konsumatorëve për tarifat e propozuara në raportin konsultativ të ZRRE-së, është vetëm edhe 9 ditë, deri më 28 janar 2022. (M. Shabani)/Buletini Ekonomik/