Gashi: Energjinë që KEK-u ia shet KEDS-it me 30 euro, qytetarëve dëshironi t’ia shitni për 230 euro

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se energjia e shitur nga Korporata Energjetike e Kosovës në KEDS është më e lirë se ajo që iu ofrohet qytetarëve.

Gashi në debatin parlamentar për çmimin e energjisë elektrike, ka thënë se çmimi i faturave do të jetë 300 për qind më shumë.

“Sot qytetarët e Kosovës po përballen me rritjen më të madhe të energjisë elektrike, pra me 300 për qind. Kryeministri Kurti para një viti e projektonte vetën si një magjistar që do ta ndryshonte dhe rendin botëror. Ishte krijuar përshtypja se bota ishte në pritje të tij, por tani kur ka kaluar një vit është shndërruar në një politikan që shkakton probleme të përditshme për vendin. Si e refuzove remontin, si e refuzove blerjen e energjisë elektrike gjatë verës, si e refuzove gazin amerikan dhe si i refuzove të gjitha projektet që kanë të bëjnë me thëngjill, me ujë e me diell”, tha Gashi.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka shtuar se Kosova gjatë vitit 2020 ka pasur bilanc pozitiv energjetik.

“Kosova në vitin 2020 ka importuar 832 mijë MegaWatt energji elektrike, ndërsa ka importuar 1.28 milion MegaWatt, pra bilanc pozitiv. Sot thoni është përgjegjësi i ZRRE-së por jo e jona. I propozoni qytetarëve të Kosovës çmimin e energjisë elektrike 222 euro për MegaWatt, ku në treg ndërkombëtar ku Kosova blen energji është 189 euro. Energjinë që KEK-u ia shet KEDS-it me 30 euro, qytetarëve të Kosovës dëshironi t’ia shitni për 230 euro për tarifën e lartë, e për 150 euro tarifën e ulët”, përfundoi ai.