Ekonomia e SHBA krijoi 199 mijë vende pune në dhjetor – Norma totale e papunësisë bie në 3.9%

Ekonomia amerikane krijoi edhe 199 mijë vende të reja pune gjatë dhjetorit, ndërsa norma totale e papunësisë ra me 0.3 pikë përqindje, në totalin e 3.9%, nga 4.2% që ishte në nëntor. Shifrat janë më të ulëta se parashikimet e analistëve, të cilët prisnin 422,000 vende të reja pune.

Gjithsesi, punësimi vijon tendencën në rritje, sidomos në sektorët si argëtimi dhe mikpritja, shërbimet profesionale dhe të biznesit, prodhimi, ndërtimi dhe transporti. Në këtë mënyrë, norma e papunësisë po i afrohet niveleve përpara pandemisë prej 3.5%.

Sipas raportit, që nga prilli i vitit 2020, punësimi në SHBA, me përjashtim të sektorit bujqësor, është rritur me 18.8 milionë njësi, por gjithsesi është ende me 3.6 milionë apo 2.3% poshtë niveleve përpara krizës së Covid-19. Numri i personave të papunë ra me 483,000 në totalin e 6.3 milionë personave. Sipas analistëve, të dhënat sugjerojnë se punësimi vijon të ndikohet nga Covid-19, sidomos me përhapjen e shpejtë të omicron.

Reklama e sponzorizuar

Në anën tjetër pagat u rritën në mënyrë solide, duke nënvizuar kërkesën e lartë për punonjës. “Po shohim një rritje të shpejtë të pagave dhe kjo po ndodh sepse punëdhënësit e kanë të vështirë të gjejnë punonjës. Në këtë mënyrë, por përpiqen të joshin punonjës me paga më të larta. Kjo është mëse e dukshme, sidomos në sektorët me paga të ulëta, si shitjet me pakicë, shërbimet e ushqimit dhe transporti”, shprehet një analist. Raporti i publikuar nga Departamenti i Punës sugjeron se tregu i punësimin në SHBA është pranë maksimumit. /Scan tv/