Energjia për biznesin trefish, nga një janari 7200 biznese do blejnë energji në tregun e lirë

energji
Foto Ilustruese

Rreth 7400 biznese pas 1 janarit energjinë do ta blejnë në treg të lirë.

Në tetor çmimi i miratuar për bizneset nga OSHEE në treg të lirë shkojnë në 32 lekë kW/h, nga 11 lekë që paguajnë momentalisht bizneset e lidhura në tension të mesëm.

Nëse do të dilnin këtë muaj në treg të lirë flitet për një rritje trefish të çmimit për këto biznese, ndërsa momentalisht po e vuajnë rreth 1 mijë biznese të mëdha, që janë liberalizuar që në 2020-ën.

Reklama e sponzorizuar

Për Shoqatën e Prodhuesve këto çmime do sjellin situata të pazakonta dhe mund të frenojnë rimëkëmbjen ekonomike

“Mesatarisht një biznes prodhues paguan 80 milionë lekë energji elektrike. Me rritjen e energjisë ai pritet të paguajë 250 milionë. Atëherë ku pritet ta reflektojë ai këtë kosto. Do shohim situata të pazakonta që ose do mbyllen fabrikat dhe nuk do punojnë për disa muaj, mirëpo përballen me rrezikun e largimit të punëtorëve, e në këto kushte do shohim situata mjaft të pazakonta.”

Sipas tij produktet e shportës pritet të bëhen edhe më shtrenjta, sepse kompanitë e ujit apo qumështit, energjinë e kanë kosto kryesore

“Ku ta dërgojë ai këtë kosto të re. Rritje trefish të çmimit, në momentin që 40% e kostos së produktit është vetëm energji elektrike. E gjitha shkon tek çmimi final. Por është dhe rreziku i përballjes me produktet e importit me çmime më të ulëta të produkteve dhe në këtë mënyrë mund të falimentojnë.”

Edhe operatori i transmetimit dhe ai i shpërndarjes kanë aplikuar që të rriten tarifat e energjisë, por vendimi duhet të merret nga Enti Rregullator. Nëse rriten edhe këto tarifa i bashkëngjiten çmimit final të energjisë./Top Channel/