EIB aprovon kredinë prej 28.9 milionë eurosh për Maqedoninë e Veriut për gazsjellësin me Greqinë

Banka Evropiane e Investimeve (EIB) ka konfirmuar se ka aprovuar kredinë prej 28.9 milion eurosh për Maqedoninë e Veriut për ndërtimin e pjesës 68 kilometërshe të gazsjellësit të ri me Greqinë.

Kredia e re e EIB vjen pas grantit 12.4 milion eurosh nga Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF), ka thënë EIB.

Pjesa në Maqedoninë e Veriut e gazsjellësit të ri me Greqinë do të fillojë në kufirin me Greqinë dhe do të përfundojë në qytetin Negoino. Ndërtimi do të fillojë në fillim të vitit tjetër, ka konfirmuar Ministri Kreshnik Bekteshi.

Reklama e sponzorizuar

Maqedonia e Veriut do të kontribuojë me 54 milion euro në shumën e përgjithshme të investimit në gazsjellësin e ri, që pritet të arrijë në 100 milionë.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut dhe Greqia kanë nënshkruar marëveshje për ndërtimin e gazsjellësit të ri në korrik të këtij viti.

Gazsjellësi i ri 123-kilometërsh do të ndërlidhë sistemet e transmetimit të gazit të dy vendeve dhe do të ketë kapacitet vjetor prej 1.5 miliard kubik metrash, me mundësi zgjerimi.

Kjo ndërlidhje do t’i mundësojë Maqedonisë së Veriut ndërlidhjen me Gazsjellësin Trans Adriatik (TAP) përmes Greqisë.