Pse po ngulmohet kaq shumë dhe me kaq urgjencë në rritjen e çmimit të rrymës

Mehmet Gjata

Kërkesat dhe promovimet për ta shtrenjtuar rrymën po bëhen në mënyrë goxha brutale dhe agresive, me intonacione frikësuese për opinionin, se gjoja “gjithandej në botë janë ngritur çmimet, janë katër e pesëfishuar ato dhe ne çka po presim më, boll është pritur, na ka kapluar kriza energjetike”.

Mehmet GJATA

Që kur janë paraqitur sinjalet e para për krizën energjetike në botë, e sidomos këtyre ditëve të fundit, në Kosovë, në disa institucione dhe në KEDS, sidomos, në një farë mënyrë po u ngutet tepër shumë për ta ngritur çmimin e energjisë elektrike. Për këtë po flasin edhe publikisht, përfaqësuesit e KEDS-it, por edhe përfaqësues të institucioneve të shtetit, bile edhe të Qeverisë, të cilët disa fare haptas, disa paksa “ gjoja si me turp” po promovojnë domosdonë e ngritjes së çmimeve të rrymës edhe në vendin tonë.

Reklama e sponzorizuar

Dhe këto kërkesa dhe promovime për ta shtrenjtuar rrymën po i bëjnë në mënyrë goxha brutale dhe agresive, me intonacione frikësuese për opinionin, se gjoja “gjithandej në botë janë ngritur çmimet, janë katër e pesëfishuar ato dhe ne çka po presim më, boll është pritur, na ka kapluar kriza energjetike” etj.

Bëhen krahasime fare të paqëndrueshme se si “vetëm të mërkurën, Kosova importoi energji elektrike prej 657 mijë euro” se si “Kosova dje importoi megavatin e energjisë elektrike 325 euro”, se si “Pesëfishohet çmimi i importimit të energjisë në Kosovë” etj.

Ka edhe të tjera promovime pak publike dhe paksa të fshehura në mbështetje dhe në favor të ngulmimit kaq të madh për ta shtrenjtuar rrymën. Dhe, pa analizuar shumë e shumë dhe pa filozofuar fare, duhet thënë se nuk kanë as të drejtën më të paktë për këto kërkesa dhe këto ngulmime. Sepse, sado që pak a shumë të gjitha faktet e shpërfaqura janë të vërteta dhe gjysmë të vërteta, me rastin e kërkesave për ngritjen e domosdoshme të çmimit të rrymës po fshehen disa të vërteta ordinere, të qëndrueshme dhe faktike që e mohojnë bindshëm domosdonë e shtrenjtimit të energjisë elektrike në vendin tonë.

Pra, është e vërtetë që kohë pas kohe, edhe blejmë-importojmë energji të shtrenjtë, është ndoshta e mundshme që brenda një ditë Kosova importoi energji elektrike prej 657 mijë eurosh” , dhe mbase është e vërtetë informata se “vetëm për një ditë të vetme të nëntorit (24 nëntor) është importuar energji elektrike në vlerë monetare prej 657.311.29 eurosh. Që nëse e krahasojmë me një vit më parë çmmi është 7 fish më i lartë. Pra, nga 98,541,50 euro sa ishte totali i importit në vitin 2020 për këtë datë, sivjet ka arritur ne 657.311.29 euro”, ose edhe që “Kosova një ditë importoi megavatin e energjisë elektrike 325 euro”, dhe, poashtu është e mundshme se diku në botë, ose shumëkund në botë qenka “pesëfishuar çmimi i importimit të energjisë, që po e siguruaka Kosova” etj. Ose njoftimi, thuaja permanent i KEDS-it se “kriza energjetike globale ka ndikuar dukshëm në rritjen e çmimeve të importit të energjisë në Kosovë. Dallimi është tejet i madh, marrë parasysh që vitin e kaluar megavati është blerë 49 euro, kurse këtë vit 242 euro”.

Kompania kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) ka njoftuar në këtë periudhë me dhjetëra herë, për të mos thënë me qindra herë se ka pasur shtrenjtim të importit të energjisë në Kosovë. Sipas KEDS-it, gjatë muajit tetor një megavat është importuar në vlerën prej 242 euro, ku një vit më herët kjo vlerë ishte pesë herë më i lirë.

Për fat të keq, goxha me shpejtësi dhe lehtësisht këto ngulmime të KEDS-it për rritje të çmimit të energjisë elektrike i ka promovuar edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Ajo, sikur në unison me KEDS-in nuk ka lënë rast që iu ka dhënë për të deklaruar, pak a shumë kështu: “Çmimet e energjisë elektrike të importit janë rritur pesëfish, në krahasim me vitin e kaluar dhe një vit normal. Rrjedhimisht është një gjendje e jashtëzakonshme, në të cilën secili prej nesh duhet të bëjë gjithçka që është e mundur brenda kapaciteteve të tij, në mënyrë që kjo krizë ta prek Kosovën”.

Ajo ka kërkuar nga qytetarët që të kursejnë energjinë elektrike gjatë stinës së dimrit, duke shfrytëzuar alternativa tjera për ngrohje. Sipas paraqitjeve publike të ministres, moskursimi i energjisë do të thotë edhe rritje e importit dhe mund të ketë pengesa në fuqizim të rregullt, e mund të ketë edhe rritje të tarifave nga prilli i vitit të ardhshëm”. Në këtë mënyrë, thuaja haptas po kërkon të rritet çmimi i energjisë edhe personi e cila më së shumti dhe me zë të lartë do të duhej t’u dilte në mbrojtje konsumatorëve kosovarë për shumë e shumë arsye. Ku e ka parë gjendjen e jashtëzakonsghme në energjetikë ministrja, nuk është e qartë për shumëkendë, së pari. Së dyti, cilat alternativa ka kosovari i rëndomt dhe ai i varfëri për t’i shfrytëzuar për ngrohje, kur asnjëherë të vetme asnjë qeveri e Kosovës, as ndërmarrje distributore nuk ka investuar edhe një cent të vetëm për energji alternative.

Sidoqoftë, nëse është kështu siç po pretendon KEDS-i, dhe ministrja Rizvanolli , atëherë duhet të jetë e vërtetë, gjithsesi, edhe e dhëna tjetër, që është ana tjetër e medales, se edhe çmimi i rrymës- energjisë elektrike, që për ditë thuaja, gjatë natës e eksporton Kosova (zëdhënësi i KEDS-it këmbëngul se KEDS-i, ka dy vjet që nuk eksporton energji elektrike, por, këtë, sipas tij, e bën KEK-u) tek blerësit e rrymës sonë është rritur. Nëse Kosova, apo KEK-u, apo KEDS-i nuk e eksporton këtë energji me 325 euro për megavat, doemos do ta eksportojë me një çmim të përafërt sa e shet e gjithë bota energjetike. Ose, nëse Kosova importoi energji elektrike prej 657 mijë euro brenda një dite, pse asnjëherë nuk u tha dhe nuk u bë publike se sa eksportoi Kosova brenda një ditë energji elektrike.

Poashtu, në këtë kontekst shtrohet pyetja, nëse është pesëfishur çmimi i energjisë së importuar, pse asnjëherë nuk bëhet publike sa është shumëfishuar çmimi i energjisë të cilën e eksporton Kosova. Në asnjë mënyrë nuk mund të pesëfishohet çmimi i rrymës së importuar dhe të mos katërfishohet, ta zëmë eksporti i rrymës sonë.

Ligjet e tregut të energjisë elektrike vlejnë kudo në botë njësojë, e sidomos në ekonominë e tregut, të cilën tash e mbi 20 vjet e aplikon dhe e ka ndër parimet e shenjta dhe qenësore të sistemit shoqëror kapitalist edhe Kosova. Dhe, Kosova nuk është se eksporton pak, ose vetëm simbolikisht. Sipas të dhënave statistikore të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, del se janë shumë të përafërta shifrat e energjisë elektrike të importuar me ato që eksporton Kosova. Për të qenë më konkret dhe më të saktë, po i bëjmë publike këto shifra: Energjia elektrike (sasia bruto) e prodhuar në tremujorin e tretë në termokapacitetet elektroenergjetike të Kosovës ishte saktësisht 1 358.2 gigavatorë (GWh), ndërsa sasia e në hidrocentralet tona ekzistuese ishte rreth 41.1 GWh. Këto të dhëna i ka bërë publike Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) nëpërmjet publikimit të “Bilancit të Energjisë” për tremujorin e tretë (TM3) 2021.

Në këtë publikim janë prezantuar të dhënat mbi prodhimin e thëngjillit, të dhënat për prodhimin dhe konsumin e energjisë, importin dhe eksportin e energjisë, si dhe importin dhe eksportin e energjentëve të tjerë. Gjatë tremujorit të tretë, Kosova ka importuar 919.9 GWh energji elektrike, ndërsa, po në të njëjtën periudhë ka eksportuar 841.7 GWh energji elektrike, që do të thotë që importi dhe eksporti kanë qenë goxha shifra të përafërta. Më konkretisht, Kosova në tremujorin e tretë, i trajtuar nga statistikat e ASK-së ka importuar gjithsej diku rreth 78 gigavat-orë më shumë se që ka eksportuar energji elektrike.

Këto statistika duhet të jenë bazament se para se të ngutemi për një shtrenjtim të shpejtë dhe me presion të çmimit të rrymës, të analizojmë me gjakftohtësi të gjitha rrethanat. A është vërtetë Kosova në gjendje të jashtëzakonshme, kur thuaja asnjë ditë deri më sot, sivjet, thuaja se nuk ka dështuar prodhimi në termocentralet e Kosovës, as në B1 dhe në B2, as në A3, A4 dhe A5, ose dështimi ka qenë fare I rrallë. Pse të jetë në gjendje të jashtëzakonshme Kosova, kur ende qe 21 e më shumë vite gjatë natës ka teprica të ndjeshme të energjisë, të cilën në vazhdimësi Kosova i eksporton. Po qe se nuk eksportohet kjo energji duhet kushtimisht të ndalen termocentralet, dhe kjo ndalje nuk është bërë publike asnjë herë të ketë ndodhur sivjet. Dhe së fundi, pretendimet e ndërmarrjes private për tregtimin e energjisë elektrike për ekstrafitim nga rryma që prodhohet mu në afërsi të kryeqytetit dhe për prodhimin e së cilës kosovaret përrreth termocentraleve dhe kryeqytetasit sakrifikojnë tepër shumë, madje edhe shëndetin në përmasa alarmuese dhe tronditëse, janë të paqëndrueshme tani për tani. Këta qytetarë kanë të drejtë morale dhe ligjore që të kenë mundësi ta paguajnë rrymën me çmim të përballueshëm.

Dhe krejt në përmbyllje, në Kosovë tani për tani nuk ka krizë energjetike. Kjo nuk do të thotë se nuk do të ndodhë kriza. Ka shumë gjasë, që të përfshihet edhe Kosova në krizën që po bredhë dhe po bënë ecejake gjithandej nëpër botë. Gjithësesi, me rënien e temperaturave do të rritet nevoja edhe për më shumë sasi të importit. Por, do të shtohen nevojat për import, sidomos kur në termocentralin Kosova B do të fillojë instalimi i elektrofiltrave, dhe kur kushtimisht do të del nga prodhimi burimi më i madh dhe më stabil i energjisë elektrike. Deri atëherë, vendimmarrësit për çmimin e energjisë elektrike duhet të rezonojnë dhe reflektojnë qetësisht, pa presione të tregtarëve dhe në bazë të analizave detaje për asyeshmërinë, apo joarsyeshmërinë e çmimeve të reja të energjisë edhe të ne.