Për 13 vite, Zvicra ka investuar në Kosovë mbi 600 milionë euro

Që nga viti 2007 deri në vitin 2020-të nga investitorët zviceranë janë investuar mbi 600 milionë euro në Kosovë, duke e radhitur Zvicrën si investitorin e dytë më të madh sa i përket Investimeve të Huaja Direkte në vend.

Drejtori menaxhues i Odës Ekonomike Zvicërane, Vigan Disha, në një intervistë për Buletinin Ekonomik ka thënë se janë mbi 60 kompani zviceranë që veprojnë në Republikën e Kosovës, fushëveprimtaria e të cilave është e orientuar kryesisht në ICT, Fintech, përpunimin e drurit dhe BPO-së.

Investitorët zviceranë, sipas tij janë në vazhdimësi të interesuar për të bartur proceset e tyre biznesore në Kosovë, ndërsa sektorët e preferuar dhe të favorizuar nga ta më shumë janë dizajnimi dhe zhvillimi i shtëpive modulare, dizajni dhe arkitektura si dhe proceset e teknologjisë informative e kontraktimi i proceseve të biznesit.

Reklama e sponzorizuar

“Ata janë të fokusuar deri tani me investimet e tyre më shumë në rajonin lindor dhe jugor të Kosovës” tha ai. /Buletini Ekonomik/